Së bashku me krizën e rëndë shëndetësore dhe humanitare të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, drejtuesit në të gjithë botën po përballen me sfida të mëdha biznesi – kolapsi i kërkesës së klientëve, përshtatja e rregullores së punës me gjendjen e jashtëzakonshme, ndërprerja e zinxhirit të furnizimit, papunësia, recesioni ekonomik dhe rritja e pasigurisë. Me këto kushte, pala e biznesit ka nevojë për mënyra për t’u rikuperuar. Strategjia “5P” e teoricienit të menaxhimit, Henry Mintzberg është përshtatur për t’i dhënë përgjigje pyetjeve që bizneset mund të kenë tani.
1.Çfarë pozicioni mund të mbani gjatë dhe pas pandemisë?
Për të marrë vendime të zgjuara strategjike, duhet të kuptoni pozicionin e kompanisë suaj në mjedisin ku operoni. Kush jeni në tregun tuaj, çfarë roli luani në ekosistemin ku përkisni dhe cilët janë konkurrentët tuaj kryesorë? A mund të bllokoni çdo rrjedhë tuajën të biznesit tuaja dhe t’i vazhdoni normalisht të pandryshuara pas pandemisë? A mund të rimerrni territorin e humbur? A jeni të rrezikuar për të kaluar në faliment? Pasi t’i jepni përgjigje këtyre pyetjeve, atëherë filloni të hartoni një plan për pozicionin e kompanisë suaj në situatën post – koronavirus.
2.Cili është plani juaj i rikthimit?
Plani është organizimi i veprimtarisë që ju mendoni se do të keni, pas pozicionimit që besoni se do të marrë sipërmarrja juaj në situatën post – koronavirus. Ky plan duhet të përmbajë pikat që duhet të bëni sot për të arritur objektivat tuaja nesër. Në kontekstin aktual, pyetja është se çfarë duhet të bëni për të kaluar krizën dhe për t’u rikthyer në biznes kur kjo gjendje të përfundojë. Mungesa e planit vetëm sa përkeqëson dezorientimin në një situatë tanimë konfuze.
3.Si do të ndryshojnë kultura dhe identiteti juaj?
Perspektiva nënkupton mënyrën se si një kompani e sheh botën dhe veten. Sipas të gjitha gjasave, kultura dhe identiteti juaj do të ndryshojnë si rezultat i pandemisë. Një krizë mund të bëjë njerëzit së bashku dhe të lehtësojë një frymë kolektive të durimit, por gjithashtu mund të largojë njerëzit edhe më shumë, me individë që nuk besojnë njëri-tjetrin dhe kryesisht kujdesen vetëm për veten e tyre. Është thelbësore të konsideroni si mund të evoluojë perspektiva juaj. Sa e përgatitur është sipërmarrja juaj për t’u marrë me krizën, nga ana kulturore? A do t’I afrojë situata në vazhdim punonjësit tuaj apo t’i largojë ata? A do ta shohin ata kompaninë ndryshe kur të mbarojë kjo gjendje? Përgjigjet tuaja do t’ju informojnë se çfarë mund të arrini kur të mbarojë pandemia.
4.Çfarë projektesh të reja ju nevojiten për të filluar, drejtuar dhe koordinuar kompaninë?
Përgjigjet tuaja në pyetjet e mësipërme duhet t’ju tregojnë për një seri projektesh për të adresuar problemet tuaja të lidhura me koronavirusin. Sfida është të prioritizoni dhe koordinoni nismat që do të dëshmojnë të ardhmen e biznesit tuaj. Kujdes nga fillimi i projekteve të shumta, që të gjithë varen nga të njëjtat burime kritike, të cilat mund të jenë individë specifikë, siç janë menaxherët më të mirë, ose departamentet specifike, siç është IT. Me shumë iniciativa të reja, ju mund të përfundoni me një luftë mbi burimet që vonojnë ose ndryshojnë strategjinë tuaj.
5.Sa jeni të përgatitur për të ekzekutuar planet dhe projektet tuaja?
Më në fund, ju duhet të vlerësoni gatishmërinë e kompanisë suaj. A jeni gati dhe në gjendje të realizoni projektet që keni përshkruar, veçanërisht nëse një pjesë e madhe e stafit tuaj është zhvendosur në punën në distancë? Kjo situatë na ka bërë të shohim reagime të ndryshme ndaj gjendjes, ku disa individë, kompani apo qoftë dhe shtete, janë të gatshëm të reagojnë shpejt, e ndërsa të tjerë kanë një devotshmëri më të ulët. Shpejtësia dhe cilësia e proceseve është ekzaktësisht ajo që dallon ata që kanë dhe ata që nuk kanë sukses.
Jini të vetëdijshëm se konsumatorët do ta mbajnë mend mënyrën se si ju keni reaguar ndaj krizës. Për shembull, rritja e çmimeve gjatë një mungese të produkteve, do të ketë padiskutim një efekt të rëndësishëm në marrëdhëniet tuaja me klientët. Koronavirusi ka pasur një ndikim të pashembullt në botë. Kompanitë duhet të veprojnë sot nëse duan të rimëkëmben të nesërmen. Një gjë e tillë do të ndihmojë botën në tërësi, e shpresojmë që procesin e tanishëm ta realizojmë siç duhet!
D.B – SCAN
Burimi: Harvard Business Review