Shumëkombëshja me seli në Redmond ka përfunduar testin e parë të një projekti për transferimin e serverëve në kontejnerë që do të zhyten në fund të Oqeanit. Rezultatet janë befasuese
Serverët e Microsoft do të përfundojnë në fund të detit. Jo, kjo nuk ka të bëjë me fundosjen e gjigantit me seli në Redmond, por me një strategji të re për menaxhimin e data center (qendrave të të dhënave) të kompanisë shumëkombëshe.
Pas dy vjetësh, eksperimenti ka dhënë rezultate befasuese. Sot, ideja e qendrave të kërkimit dhe zhvillimit të Microsoft është zgjatja e këtij eksperimenti, drejt një të ardhme “nën det” të qendrave të të dhënave. Këto ditë përfundoi testi i parë i një mënyre të re të menaxhimit të serverëve që mbajnë në këmbë Microsoft.
Një qendër e vogël e të dhënave (data center) u fundos në Detin e Veriut, në rreth 35 metra thellësi, duke ndjekur një projekt që shumë e cilësonin të paqëndrueshëm, me emrin ‘Project Natick’. Qëllimi ishte të verifikohej nëse qendra e të dhënave mund të rezistonte dhe të vazhdonte të funksiononte në kushte ekstreme, si për shembull zhytja në ujin e detit, në temperatura të ulëta dhe në një thellësi mesatare. Në kontejnerin e vogël që u zhyt në fund të detit, kishte 864 serverë, natyrisht të lidhur me një kabllo nënujore me tokën.
Objektivi ishte edhe verifikimi nëse një sistem i tillë mund të ishte funksional për një shpërndarje më të mirë të nxehtësisë që prodhohet nga qendrat e të dhënave, duke kursyer energji për sistemet e kondicionimit dhe duke përdorur më pak energji elektrike, si për ushqyerjen e vetë serverëve, por edhe pajisjeve për ftohje. Rezultatet, është pak të thuash, ishin entuziazmuese. Serverët u gjetën në kushte më të mira se të njëjtat pajisje në tokë, por edhe rreziqet e lagështirës dhe ndryshimit të temperaturës u reduktuan në minimum, gjë që nuk ndodhi për të njëjtat pajisje të instaluara në tokë.
Kështu, Microsoft ka vendosur të vijojë eksperimentimin me ‘Project Natick’, aq sa në muajt e ardhshëm do të instalojë qendra të tjera të dhënash brenda kontejnerëve nën ujë, të cilët do të zhyten në zona të ndryshme të oqeanit. Objektivi përfundimtar është edhe ripërdorimi i serverëve që, në tokë, arrijnë fundin e jetës së tyre të dobishme – me pak fjalë zgjatja e përdorimit të tyre për më shumë kohë se sa pritej, me kursime të konsiderueshme dhe riciklimi i pajisjeve që ruajnë të dhënat e kompanisë Redmond.
Një faktor tjetër i rëndësishëm në planet e Microsoft është transformimi i qendrave të mëdha të të dhënave, që zënë hapësirë dhe konsumojnë energji në më shumë “kontejnerë” të cilët, të zhytur në ujë, do të zvogëlojnë edhe ndikimin në mjedis.
Burimi: La Repubblica