Realizimi i buxhetit të shtetit edhe gjatë vitit 2019 është përcjellë me mangësi të ndryshme. Mangësi këto, që përveç institucioneve shtetërore kanë rezultuar edhe te disa nga ndërmarrjet publike, të cilat gjatë 2019-s u karakterizuan në masë të madhe me humbje të mëdha në operimet e tyre, cilësi jo të mirë në sistemet financiare të tyre, keqdeklarime të llogarive, si dhe keqmenaxhim në fondet publike, përcjell Buletini Ekonomik.
Ndërmarrjet Publike në vendin tonë kanë vazhduar avazin e njëjtë edhe gjatë vitit fiskal të 2019-s, me një performancë tejet të dobët në operimet e tyre. Madje, disave prej tyre vetëm se iu kishin rritur detyrimet afatshkurtra, e disave edhe ato afatgjata, në krahasim me vitin 2018.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar shifra shqetësuese për stabilitetin financiar të këtyre ndërmarrjeve gjatë vitit 2019. Ato, të gjitha së bashku, kanë afër 90 milionë euro detyrime afatshkurtëra, dhe mbi 71 milionë euro detyrime afatgjata. Auditori thekson po ashtu se kthimi i këtyre detyrimeve është mjaft i pasigurtë, duke marrë parasysh faktin se të gjitha ndërmarrjet publike në vend aktualisht janë në kufij të rentabilitetit, që në terma real, i bie se po operojnë me humbje. Këto detyrime në vitin 2019 janë rritur për 16 milionë në krahasim me një vit më parë.
Në gjendjen më të keqe të mundshme vazhdon të jetë ‘Telekomi i Kosovës’, i cili gjatë vitit 2019 ka pasur detyrime afatshkurta gjithsej 71 milionë e 866 mijë euro, në krahasim me vitin 2018 ku të njëjtat detyrime i kishte në vlerë të 56 milionë eurove. E njëjta ndërmarrje po vazhdon edhe këtë gjysmë-vit me të njëjtat probleme sipas raportimeve të mediave.
Pas Telekomit, “KRU Prishtina” u ngrit në një pozitë edhe më lartë sesa Posta e Kosovës sa i përket detyrimeve aftashkurtra, ku kjo e fundit më 2018 mbante pozitën e dytë. Detyrimet afatshkurtra të KRU Prishtina kapin vlerën e 4 milionë e 254 mijë eurove për vitin 2019, në krahasim me vitin 2018 kur kishte vetëm 2 milionë e 214 mijë euro detyrime. Kurse detyrimet afatgjata të saj më 2019 ishin në shumën e 45 milionë e 552 mijë eurove, me ç’rast vërehet një rënie prej mbi 5 milionë eurove në krahasim me 2018-n, që ishin mbi 52 milionë euro detyrime afatgjata të saj.
E në pasqyrat financiare të Postës së Kosovës gjatë vitit të kaluar, ishin të deklaruara si detyrime afatshkurta gjithsej 3 milionë e 901 mijë e 626 euro. Edhe Posta e Kosovës vazhdimisht ka operuar me humbje viteve të fundit.
Ndërkaq, ndërmarrjet si: ‘KRU Hidroregjioni Jugor Sh.a, Prizren’ ka detyrime afatshkurtra në vlerë të 2 milionë e 290 mijë eurove, si dhe 13 milionë e 670 mijë e 974 euro si detyrime afatgjata. ‘KRU Bifurkacioni sh.a ‘ si detyrime afatgjata ka shumën prej 5 milionë e 76 mijë eurove, kurse ato afatshkurtra në vlerë të 521 mijë e 376 eurove. ‘Hekurudhat e -Trainkos Sh.a’ po ashtu kanë një shumë të lartë të detyrimeve, ku përfshihen 1 milionë e 678 mijë euro detyrime afatshkurtra dhe 2 milionë e 343 mijë si detyrime afatgjata. Si dhe detyrimet afatgjata të ‘KRU Drini i Bardhë sh.a’ kapin vlerën e 3 milionë e 354 eurove dhe mbi 60 mijë euro i ka si detyrime afatshkurtra.
Edhe ndërmarrjet e tjera kanë deklaruar detyrime të shumta mirëpo në shuma më të vogla sesa ato të lartëpërmendurat, pra nën pragun e milionshit.
Ndërkohë, pasi që struktura e financimit të këtyre ndërmarrjeve është mjaft e pavolitshme për shkak se mbi 90 milionë euro janë obligime afatshkurtëra që duhen kthyer brenda një viti, ekziston rreziku real që këto ndërmarrje të mos jenë në gjendje t’i përmbushin këto detyrime, e të falimentojnë. Për dallim, në vitin 2018 ishin 73 milionë euro detyrime afatshkurtra të ndërmarrjeve.
Në një rast të tillë, Auditori thotë se Qeveria si aksionare, mund të ballafaqohet me sfida serioze në vendimet e saj se si të veprohet në rastet kur aftësia likuiduese e ndërmarrjeve publike është shumë e pasigurtë, ndërkaq borxhet dhe kreditë duhet të kthehen brenda afateve ligjore, e në të njëjtën kohë edhe shërbimet kundrejt qytetarëve duhet të kryhen me patjetër.
Sipas ZKA-së, Bordet Drejtuese të ndërmarrjeve publike, nuk ishin mjaftueshëm të përkushtuara për vendosjen e politikave dhe strategjive për tejkalimin e gjendjes jo të mirë në të cilat ndodhen këto ndërmarrje. Prandaj, përfshirja më aktive e Qeverisë në zgjidhjen e problemeve është e domosdoshme.
E si rekomandim i ZKA-së vjen edhe thirrja për analizë të rezultateve financiare të ndërmarrjeve publike, me theks të veçantë të atyre që me vite operojnë me humbje, marrjen e masave për një riorganizim të tyre, analizën e detyrimeve afatshkurtëra si dhe hartimin e planeve strategjike me masa konkrete përmirësuese. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/