Për të siguruar “konkurencën e drejtë” Bashkimi Evropian po përgatit rregulla më të rrepta kundër kompanive të mëdha të teknologjisë.
Në artikullin e “Financial Times” thuhet se Komisioni Evropian po përgatit një projektligj që do të detyrojë kompanitë e mëdha të teknologjisë si Alphabet, Amazon, Apple, Facebook dhe Microsoft të shesin operacionet e tyre evropiane nëse dominimi i tyre në tregun e Evropës kërcënon interesat e klientëve dhe të kompanive të vogla.
Me “ligjin e shërbimeve dixhitale” që KE planifikon të paraqesë deri në fund të vitit thuhet se kërkohet që të rriten përgjegjësitë dhe angazhimet lidhur me përmbajtjen në median sociale të kompanive si Facebook dhe Twitter.
Pesë kompanitë më të mëdha amerikane të teknologjisë, Alphabet, Amazon, Apple, Facebook dhe Microsoft realizojnë në Evropë mesatarisht një të katërtën e shitjeve. Ndërkohë që këto kompani janë në objektivin e institucioneve të konkurencës së BE-së prej një kohe të gjatë, konkurrentët e tyre më të vegjël ankohen për përjashtimin e tyre nga fushat e rëndësishme të biznesit.