Dy ekonomistë amerikanë, Paul Milgrom dhe Robert Wilson, kanë fituar Çmimin Nobel në Ekonomi, për “përmirësimet në teorinë e ankandit dhe shpikje të formateve të reja të ankandit”.
Fituesit u shpallën të hënën në Stokholm nga Goran Hansson, sekretari i përgjithshëm i Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave.
Teoria e ankandeve është një degë e ekonomisë së zbatuar që merret me mënyrën sesi sillen njerëzit në tregjet e ankandeve dhe kryen kërkime në fushën e tregjeve të ankandeve. Teoria ndihmon në informimin dhe organizimin e ankandeve, sidomos për ato në privatizimin e kompanive shtetërore ose në shitjen e licencave për përdorim në fushën e elektromagnetikës.
Çmimi përmbyll një javë të çmimeve Nobel në një kohë kur pjesa më e madhe e botës po përjeton recesionin më të rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore për shkak të ndikimit të pandemisë së koronavirusit.
Çmimi për ekonomi filloi të ndahet me 1969.
Çmimi i vitit të kaluar iu nda dy studiuesve nga Instituti Teknologjik i Masaçusetsit dhe një studiuesi nga Universiteti i Harvardit, për hulumtimet e tyre në përpjekjet për të ulur varfërinë në borë.
Pak ekonomistë mund të kishin parashikuar vjeshtën e kaluar që bota do të vihen në një bllokade disa muajshe, pasi që qeveritë mbyllën kufijtë e tyre, vendosën kufizime dhe urdhëruan masa të tjera për të penguar përhapjen e COVID-19, duke shkaktuar një rënie të fortë të veprimtarive të biznesit në të gjithë botën.
Çmimi prestigjioz përfshinë një medalje të artë dhe një shpërblim prej 10 milion koronash, afërsisht 1.1 milion dollarë amerikanë.
Të hënën e kaluar tre shkencëtarë ndanë çmimin për mjekësinë për zbulimin e virusit të Hepatitit C.
Tre shkencëtarë fituan të martën çmimin Nobel për fizikë, për zbulimet në lidhje me vrimat e zeza.
Çmimi në kimi iu dha të mërkurën dy shkencëtareve për krijimin e një metode të korrigjimit të gjeneve.
Të enjten poetja amerikane Louise Glück fitoi çmimin Nobel të këtij viti për letërsinë.
Të premten Programi Botëror i Ushqimit, u shpall fitues i çmimit Nobel për Paqe për përpjekjet e tij që të luftojë urinë dhe mungesën e ushqimit në botë. /business magazine/