Kosova bëhet me investitorin e dytë strategjik

Qeveria e Kosovës i ka dhënë sot statusin e Investitorit Strategjik subjektit investues “Moximo Luma Kosova Mining” me projektin investues “Vicianum Mining Project”.

Kapitali i investimit strategjik është 45 milionë e 80 mijë e 383 euro, për një periudhë pesë vjeçare, ndërsa investimi do të realizohet në fshatrat Gumnishtë, Vllahi dhe Karaqë të komunave Mitrovicë dhe Vushtrri.

Me këtë rast ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Vesel Krasniqi tha se grupi operacional në bashkëpunim me Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) ka bërë shqyrtimin dhe vlerësimin teknik dhe operacional të dokumentacionit të aplikimit të dosjeve.

Reklama e sponzorizuar

Ai tha se grupi operacional dhe KIESA kanë konstatuar se subjekti aplikues ka prezantuar dokumentacionin komfor udhëzimit administrativ nr.15/2018, në funksion të plotësimit të formularit të aplikimit si investitor strategjik.

“Përfitimin e statusit të investitorit strategjik në periudhën afatmesme 2021-2025, Moximo Luma Kosova Mining, si investitor strategjik do të implementojë projektin si në vijim: projektin i cili në vete do të ngërthej nxjerrje, studime të ndryshme të pasurive nëntokësore që gjenden në komunën e Vushtrrisë dhe të Mitrovicës, njëkohësisht projekti do të implikojë një numër të konsiderueshëm të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtar. Moximo Luma Kosova Mining në vlerë prej 45 milionë e 80 mijë e 383 euro, do të përfshijë në vete edhe sistemin arsimor, një bashkëpunim të ngushtë do ta ketë edhe me Universitetin e Mitrovicës dhe komunat përkatëse. Faktor kyç i projektit është që shumica e lëndëve së përpunuara do të eksportohet, gjë që ngritë edhe ekonominë e vendit dhe eksportin”, tha ai.

Ndryshe, pronat ku realizohet ky investim janë prona publike dhe private.