Një kompani e sigurimeve në Kosovë do të paguajë dëm deri në 1 milion euro

Istog – Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, ka aprovuar në tërësi si të bazuar padinë e familjes Bicaj, duke e detyruar të paditurën kompaninë e sigurimeve “Kosova e Re”, që t’i kompenson dëmin material për shkak të aksidentit të trafikut të ndodhur në 2016.

Shumat që është e detyruar të paguajë e paditura kompania e Sigurimeve “Kosova e Re”, sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” janë: 414,798 mijë euro në emër të shpërblimit të dëmit të arritur deri më 31 dhjetor 2019, në emër të fitimit të humbur dhe nevojave të shtuara për ndihmën dhe përkujdesjen e personit të tretë, blerjen e pajisjeve bio mjekësore, shpenzimet e mirëmbajtjes së pajisjeve bio mjekësore, shpenzimet e trajtimit fiziatrik terapeutik dhe përkujdesjes me medikamente respektive, shpenzimet për adaptimin e kushteve të banimit dhe sigurimin e kushteve për tretman intensiv për personin me aftësi të kufizuar, si dhe shpenzimet e trajtimit mjekësor stacionar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje sipas aktgjykimit, e paditura obligohet po ashtu të paguajë detyrimet periodike të shpërblimit të dëmit për të ardhmen, respektivisht; rentën mujore në shumën prej 1,625 mijë euro për ndihmën dhe përkujdesjen e personit të tretë; rentën mujore në shumën prej 1,854 mijë euro për mirëmbajtjen e pajisjeve bio mjekësore; si dhe renën mujore në shumën prej 1,293 euro për shpenzimet e trajtimit fiziatriko-terapeutik dhe përkujdesjes me medikamente, e siç thuhet aty këto shuma të paguhen deri në limitin e shumës të siguruar prej 1 milion euro përderisa për dëmin në fjalë të ekzistojnë kushtet ligjore.

Reklama e sponzorizuar

“Detyrohet e paditura kompania e sigurimeve ‘Kosova e Re’, që në shumën e shpërblimit të dëmit prej 414,798 euro, ta paguajë kamatëvonesën prej 8% në vit, duke filluar nga data 25 shtator 2020 e deri në pagesën definitive. Po ashtu e njëjta detyrohet që të paguajë edhe shpenzimet e procedurës në shumën prej 11,997 mijë euro”, thuhet në aktgjykim.

Një aksident trafiku që kishte ndodhur në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë, më 27 janar të vitit 2016, kishte lënë Nushe Loxhaj-Bicajn të palëvizshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për lëndimet e pësuara, ajo dhe familjarët e saj, në korrik të vitit 2016, kishin ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, duke kërkuar kompensim dëmi në shumën prej rreth një milion euro.

Padia ishte ushtruar ndaj kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, pasi që vetura me të cilën ishte shkaktuar aksidenti, ishte e siguruar në këtë kompani.

“Në bazë të provave të administruara e posaçërisht nga super-ekspertiza e komunikacionit të bërë nga grupi i ekspertëve Ahmet Shala, Arlinda Rrecaj, Liridon Sejdiu nga fakulteti i Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës, ekspertizës së komunikacionit të punuar në prokurori, ekspertizës së komunikacionit të punuar nga eksperti Naser Nimanaj, raportit policor, skicës së vendit të ngjarjes dhe raportit policor hetues, gjykata ka ardhur në përfundim se aksidenti i komunikacionit ka ndodhur më 27 janar 2016 dhe si pasojë e tij paditësja Nushe Loxhaj-Bicaj, ka pësuar lëndime të rënda trupore. Andaj duke u mbështetur në provat e administruara, gjykata ka konstatuar se në rastin konkret ka të bëjë me përgjegjësi ekskluzive – të vetme të siguruarit tek këtu e paditura, dhe se paditësja Nushe me asnjë veprim nuk ka kontribuar në shkaktimin e aksidentit”, thuhet në vazhdim të aktgjykimit.

Tutje sipas aktgjykimit, gjykata ka konstatuar se, mbi bazën e provave të administruara e që i referohen dokumentacionit mjekësor, e veçmas ekspertizës mjekësore të datës 27 janar 2017, ka rezultuar se diagnoza e paditëses rezulton të jetë një rast me pasoja të lëndimeve të rënda trupore, në termin mjekësor Loucting Syndrom.

Aty thuhet se, duke iu referuar konstatimeve, kualifikimeve përkatëse nga ekspertiza dhe sqarimeve plotësuese të ekspertëve në seancë, ka rezultuar se paditësja ka zvogëlim të përhershëm të aktivitetit punues dhe profesional 100%, ka nevojë të shtuar të përhershme për përkujdesje dhe ndihmë të personit të tretë, për ushqim special, për tretman fizik, përkujdesje intensive të trajtimit mjekësor, kushte të posaçme të banimit dhe qëndrimit të paditëses dhe stafit medicional si dhe përcjellje me pajisje referente bio mjekësore.

“Gjykata duke u bazuar në gjendjen faktike të vërtetuar si më lartë, vlerësoi se e paditura mban përgjegjësi për dëmin që i është shkaktuar palës paditëse, për çka e paditura është e obliguar që dëmin t’i kompensoi të njëjtës mbi bazën e përgjegjësisë dhe atë sipas dispozitave të LSDA-s.”, thuhet në aktgjykim.

Historiku i procesit gjyqësor:

Për aksidentin e ndodhur më 27 janar të vitit 2016 dhe për lëndimet e pësuara nga ky aksident, Nushe Loxhaj-Bicaj dhe familjarët e saj, në korrik të vitit 2016, kishin ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, duke kërkuar kompensim dëmi në shumë prej rreth një milion euro.

Paraprakisht, para se të ushtronte padi për kompensimin e dëmeve lidhur me këtë rast, bashkëshorti i të dëmtuarës, Xhavit Bicaj ishte drejtuar në kompaninë “Kosova e Re”, mirëpo e njëjta kishte refuzuar ta kompensonte atë në shumën e kërkuar.

Ndërsa, për shkak të këtij refuzimi, Bicaj, ishte udhëzuar që të drejtohet në gjykatë, duke ushtruar padi.

Padia ishte ushtruar ndaj kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, pasi që vetura me të cilën ishte shkaktuar aksidenti,  ishte e siguruar në këtë kompani, ndërsa lënda i ishte ndarë për ta gjykuar gjykatësit Daut Demiraj.

Ky rast është përshkuar me zvarritje dhe me shkelje ligjore e procedurale që nga koha kur është parashtruar kjo padi.

Fillimisht, ky proces gjyqësor kishte nisur më 13 janar të vitit 2017, në të cilën seancë, pala e paditur, kompania e sigurimeve “Kosova e Re”, kishte kërkuar që Dega e Istogut të shpallet jo-kompetente për të gjykuar këtë rast, me arsyetimin se paditësja nuk është me vendbanim në Istog, por në Prishtinë, kërkesë e cila ishte refuzuar nga gjykatësi Daut Demiraj.

Më pas, në seancën e 3 shkurtit 2017, paditësit kishin sjellë si provë një certifikatë të vendbanimit të Nushe Loxhaj-Bicaj, në të cilën evidentohej se ajo banon në fshatin Banjë të Istogut.

Gjatë së njëjtës seancë, e paditura kishte kërkuar përjashtimin e gjykatësit Demiraj nga gjykimi i këtij rasti me pretendimin për njëanshmëri.

Mirëpo, kërkesa në fjalë ishte refuzuar nga kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Kreshnik Radoniqi, me pretendimin se pala e paditur, kërkesën lidhur me çështjen e kompetencës është dashur ta kërkojë më së largu deri në momentin e përgjigjes në padi, të cilën gjë sipas tij, nuk e ka bërë e paditura.

Pasi ishin refuzuar këto kërkesa dhe procesi do të mund të vazhdohej me shqyrtim, në seancën e 28 marsit të vitit 2017, pas propozimeve të palëve, gjykata kishte vendosur që seancën gjyqësore ta caktojë për 8 maj 2017, në mënyrë që t’i dëgjojë ekspertët e angazhuar për zbardhjen e këtij rasti. Në atë seancë ishte paraparë që në pjesën e paradites të dëgjohej eksperti rrugor dhe ai i arkitekturës, ndërsa në pjesën e pasdites ekspertët mjekoligjorë.

Megjithatë, seanca në fjalë nuk ishte mbajtur, kjo për shkak se gjykatësi Daut Demiraj, kishte ndërprerë procedurën në këtë lëndë, pasi pala e paditur, “Kosova e Re”, e kishte njoftuar atë se tashmë kishte filluar një hetim ndaj bashkëshortit të Nushe Loxhaj-Bicaj, Xhavit Bicaj, që ishte njëri nga paditësit, me pretendimin se ka kryer disa vepra penale, të cilat ndërlidhen me rastin kontestues që gjykohej nga ai.

Për ta marr një vendim të tillë, gjykatësit Demiraj i kishte mjaftuar njoftimi nga pala e paditur, pa kërkuar asnjë informacion nga instancat tjera, nëse një gjë e tillë ishte e vërtetë.

Përveç kësaj, vendimi për ndërprerjen e shqyrtimit gjyqësor nuk ndërlidhej me çështjen kontestuese, e cila ishte objekt i shqyrtimit. Në këtë vendim të gjykatësit nuk përmendej asnjë provë, e cila do të arsyetonte kallëzimin penal, e për me tepër nuk sqarohej nëse për këtë është nxjerrë një aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj Xhavit Bicajt.

Sidoqoftë, ndaj këtij vendimi, pala paditëse kishte ushtruar ankesë në shkallën e dytë, me ç’rast Gjykata e Apelit, më 18 prill 2018, e kishte konsideruar me shkelje të dispozitave ligjore vendimin e shkallës së parë dhe kishte kërkuar nga gjykatësi që të bëjë verifikimin e kushteve për të thirrur seancë përgatitore ose shqyrtim kryesor të çështjes, pas të cilit, sipas tyre, do të merrej një vendim i ligjshëm.

Sipas instancës së dytë, gjykatësi nuk është siguruar fare nëse për këtë rast ka apo jo një aktvendim për fillimin e hetimeve.

“Në momentin kur gjykata ka nxjerrë aktvendimin e atakuar, për ndërprerje të procedurës pushimin e gjykimit, nuk e ka pasur të provuar asnjë nga faktet e theksuara më lartë siç përcaktohet me këto dispozita ligjore, nuk ka pasur të provuar faktin sa i përket kërkesës së të paditurës për ndërprerjen e procedurës kontestimore. Të njëjtës kërkesë nuk iu është bashkangjitur asnjë provë e vetme me të cilën do të provohen pretendimet e saja lidhur me ndërprerjen e procedurës, përkundër njoftimit, se kundër njërit nga paditësit Xhavit Bicaj ka kallëzim penal dhe në rastin konkret aktvendimi i atakuar mbështetet vetëm mbi bazën e njoftimit të së paditurës dhe se në shkresat e lëndës nuk ka prova se është marr vendim për fillimin e hetimeve nga ana e Prokurorisë dhe si rezultat i kësaj, aktvendimi i atakuar është nxjerr me shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182 paragraf 2 pika i) e LPK-së, sepse me ndërprerjen e procedurës me aktvendimin e atakuar palës paditëse ju ka pa mundësuar shqyrtimi i çështjes së tyre në gjykatë”, thuhet në një pjesë të vendimit të Apelit.

Më 7 nëntor 2018, është publikuar emisioni “Betimi për Drejtësi”, që ishte titulluar “Beteja për Drejtësi”, ku kishte hulumtuar këtë rast dhe kishte raportuar se një vendim i kundërligjshëm nga gjykatësi i çështjes, Daut Demiraj, kishte bërë që gjykimi të pezullohet për më shumë se një vit.

Por, pas këtij hulumtimi të “Betimit për Drejtësi”, gjykatësi Demiraj kishte bërë kërkesë te kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Kreshnik Radoniqi, që të përjashtohet nga kjo çështje penale, me arsyetimin e mënjanimit të çfarëdo rrethane që mund të vejë në dyshim paanësinë e gjykatës dhe ruajtjes së objektivitetit në vendimmarrje.

Në këto rrethana, kjo lëndë i është ndarë gjykatësit Shemsedin Haxhijaj. /BetimpërDrejtësi/