Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka thënë se nuk do të ndalet derisa të bëhet ndryshimi i ligjit për skemat pensionale. Ajo ka shpalosur nismën ligjore për ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.
Haxhiu ka thënë se është diskriminuese që pensionistët të marrin pensionin kontributdhënës vetëm nëse kanë pasur 15 vjet stazh pune deri para datës 15 janar të vitit 1999. Ajo ka thënë se me këtë pensionistëve po u bëhet vrasje e dyfishtë.
“Unë kërkoj, kërkesat e atyre qytetarëve dhe organizatave që më drejtohen në vazhdimësi tash e pesë vjet, që pensionet kontributdhënëse të marrin gjithë pensionistët për aq sa kanë pnuar. Ata që kanë punuar edhe një vit të vetëm të marrin pensionet e tyre dhe varësisht nga vitet që kanë punuar. Në kundërshtim me ligjin kundër diskriminimit, pension kontributdhënës marrin ata që kanë punuar në kohën e ish-sistemit, që kanë përqafuar sistemin e atëhershën, e ata që janë diskriminuar dhe dëbuar dhunshëm nga puna në atë kohë po diskriminohen edhe nga shteti ynë. Është vrasje e dyfishtë. Të diskriminuarit që ishin kundër masave të dhunshme dhe pushtetit të ish-Jugosllavisë i diskriminojmë edhe ne tash, duke u kërkuar përvoja prej 15 vjet pune në atë kohë. Kërkoj vetëm të drejtën elementare të tyre. Shtetu ua ka hak. Kam marrë nismën ligjore dhe nuk do të ndalem”, ka thënë Haxhiu në konferencë për media, e cila ka falënderuar gjitha grupet parlamentare që e kanë përkrahur rezolutën e saj në Kuvend për skemën pensionale. “Gjithë deputetët që më kanë përkrahur në këtë rezolutë, jam e sigurt se do të më përkrahin edhe të miratohet ligji. Ligji shkon në kryesi, kryesia kërkon mendimin në Qeveri dhe Qeveria ka afat 30 ditë për të dhënë një mendim. Nëse Qeveria nuk është e gatshme për 30 ditë, atëherë vazhdojnë procedurat për ligjin. Jemi vonuar, por më mirë vonë se kurrë. Unë nuk do të ndalem. Me insistimin tim ka kaluar edhe Ligji për punëtorët e arsimit të viteve 1990-ta. Jemi në anën e drejtë. Kemi një obligim, jemi vonuar, por më mirë vonë se kurrë”.
Ajo ka adresuar kritika ndaj ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.
“Arsyetimi i ministrit se kemi hartuar një koncept dokument, por është rrugë e gjatë dhe përpjekje për të vonuar procesin. E fatkeqësisht pensionistët tanë nuk janë të përjetshëm, ata kërkojnë të drejtën elementare”, tha Haxhiu.