“BOOM” kërkesash për centrale diellore në Shqipëri

Viti 2024 ka regjistruar një interes të lartë të investitorëve për centrale të mëdhenj fotovoltaikë, teksa në 2 javët e para të muajit dhjetor janë depozituar 7 aplikime të reja pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Referuar interesit të shprehur pranë këtij dikasteri 7 kompanitë kërkojnë të ndërtojnë impiante fotovoltaike me kapacitet total të instaluar prej 416.5 MW, në bashki të ndryshme të vendit.

Më konkretisht, projektet parashikohet të zhvillohen në njësi administrative të bashkive Kolonjë, Fier, Devoll, Dibër dhe Pogradec.

Reklama e sponzorizuar

Në rast të finalizimit të procedurave, këto projekte nuk do të jenë përfituese të masave mbështetëse të qeverisë, që përfshijnë lehtësim në sigurimin e dokumentacionit apo blerje të garantuar të energjisë së prodhuar.

Ndërkaq, përgjatë këtij vitit numërohen dhjetra aplikime të paraqitur nga kompanitë private. Kapaciteti i parashikuar i instaluar për këto impiante është mbi 240 MW, ndërsa vendndodhja e tyre është e ndryshme nga Fieri, në Kolonjë, në Elbasan, Korçë, Cerrik, etj.

Interesi për investime në energji diellore ka disa vite që ka ardhur në rritje nga ana e investitorëve privatë, ndërkohë që një pjesë e kërkesave janë pranuar, ndërsa të tjera jo.

Aktualisht, energjia diellore nga impiantet e mëdhenj është pak e shfrytëzuar në vendin tonë, teksa sivjet në prodhim hyri centrali fotovoltaik i Karavastasë, me fuqi të instaliar 140 MW.  /Scan tv/