Isa Mustafa tash e sa vjet merr pagë nga UP-ja pa shkuar asnjë ditë

Ish- kryeministri i vendit dhe njëherit lideri i LDK-së, Isa Mustafa tash e sa vjet merrë pagë nga Universiteti i Prishtinës pa shkuar asnjëherë në punë.

Gazeta Blic nga burime brenda Fakultetit Ekonomik ka marrë vesh se atij i janë ndarë orët ne nivelin master, dhe është paguar për ato orë, por Mustafa asnjëherë nuk ka shkuar për të mbajtur orë me studentë.

Lajmin e kanë konfirmuar edhe nga Organizata për Monitorimin e Universiteteve publike në Kosovë “Organizata Studentore”.

Reklama e sponzorizuar

Kryetari i kësaj organizate Mexhid Ramusa ka konfirmuar lajmin për Gazeta Blic dhe ka dhënë detaje.

Ai madje e akuzon Mustafën që tash e katër vjet po paguhet pa shkuar fare në fakultet.

“Reagimi jonë është në lidhje me Fakultetin Ekonomik, ku ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa merr rrogë më shumë se katër vite pa ardhë asnjë ditë në universitet dhe pa mbajtur asnjë orë mësimi. Këtë ua dëshmoj unë qartë se jam edhe student i këtij universiteti i nivelit Master dhe i kam dy landë tek i njëjti profesor dhe nuk ka ardhë asnjë orë me mbajt mësim. Ne si organizatë për monitorimin e Universiteteve Publike e kemi monitoru dhe hulumtu këtë rast dhe është 100 përqind i vërtetë. Kërkojmë nga rektorati dhe Prokuroria e Shtetit që të merren masa jo vetëm ndaj këtij profesori por të gjithë profesorëve që janë me ndikim politik dhe marrin paga dhe dëmtojnë buxhetin e universitetit pa mbajtë asnjë orë” deklaroi ai për Gazeta Blic.

Gazeta Blic ka kontaktuar edhe me rektorin e Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti por i njëjti ka deklaruar se nuk ka informata për këtë rast.

“S’kam informata të tilla, s’jam në dijeni për rastin” tha shkurt Sahiti për Gazeta Blic.

Ndërkohë kontakti me liderin e LDK-së, Isa Mustafa ka qenë i pamundur pavarësisht thirrjeve telefonike dhe mesazheve të dërguara nga redaksia e Gazeta Blic, i njëjti nuk është përgjigjur.

Gazeta Blic ka siguruar edhe dokumenta nga Fakulteti Ekonomik që dëshmojnë se zoti Mustafa, vazhdon punën profesor i rregullt në këtë  fakultet.