Lansohet platforma elektronike për parandalimin e konfliktit të interesit për zyrtarët publikë

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka lansuar platformën elektronike për parandalimin e konfliktit të interesit, e cila synon të ndihmojë zyrtarët publikë dhe shërbyesit civilë të kuptojnë dhe të zbatojnë rregullat për shmangien e konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre.

Platforma u prezantua në kuadër të Javës për Parandalimin e Korrupsionit, si pjesë e aktiviteteve që i paraprijnë diskutimit me temën “Edukimi i vazhdueshëm – çelës i parandalimit të konfliktit të interesit”.

Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, tha se platforma është zhvilluar në bashkëpunim me Institutin për Administratë Publike (IKAP) dhe është financuar nga Ambasada e Gjermanisë përmes GIZ-it.

“Me këtë platformë do të ofrojmë mundësi secilit zyrtar publik dhe secilit shërbyes civil që të mësojë bazat e parandalimit të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik përmes një platforme të thjeshtë”, u shpreh Buleshkaj.

Ai bëri të ditur se hapi i radhës, në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Digjitalizimit, do të jetë që trajnimi për përdorimin e platformës të bëhet i detyrueshëm për shërbyesit civilë.

LEXO EDHE:

Sot lansohet platforma për raportimin e korrupsionit

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, programi i trajnimit zgjat rreth dy orë dhe përfundon me një test vlerësues. Zyrtarët që e kalojnë me sukses do të pajisen me një certifikatë të lëshuar nga IKAP, e vlefshme njësoj si certifikatat e tjera të trajnimeve të shërbimit civil.

Buleshkaj theksoi se trajnimi është i rëndësishëm edhe për zyrtarët që nuk mbajnë pozita vendimmarrëse, pasi ata shpesh angazhohen si anëtarë të komisioneve të ndryshme brenda institucioneve ku punojnë.