Sipas njohësve të fushës, Kosova është larg zbatimit të standardeve ndërkombëtare për siguri në ushqim. Standardet ndërkombëtare të ushqimit, pikë referente e kanë zbatimin e masave te HACCP, si dhe ISO standardet.
Erletë Rrustemi
Bizneset në Kosovë e kanë të pamundur të eksportojnë produkte me prejardhje shtazore në vendet e Bashkimit Evropian. Ky është vetëm njëri nga sektorët që ka probleme për eksport të produkteve në mungesë të zbatimit të standardeve ndërkombëtare për siguri në ushqim.
Standardet ndërkombëtare të ushqimit, pikë referente e kanë zbatimin e masave te HACCP, si dhe ISO standardet, të cilat kanë për qëllim organizimin që lidhet drejtpërdrejt ose indirekt me zinxhirin e furnizimit me ushqime.
Në Kosovë këto standarde zbatohen në raste të rralla.
Edhe pse Raporti i Progresit për vitin 2020 e paraqet Kosovën si një vend i cili ka shënuar progres në fushën e sigurisë ushqimore ne veterinari dhe fitosanitare, Kosova ende nuk ka zbatuar sistemin e transferimit të inspektoreve nga komunat në Agjensionin e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), me qëllim të eliminimit të kontrolleve të dyfishta dhe mbulimin e tërë zinxhirit ushqimor, duke filluar nga industritë e mëdha ushqimore deri tek ato që ofrojnë ushqim me pakicë.
Sipas profesoreshës së Teknologjisë Ushqimore në UBT, Mimoza Dragaçina, Kosova as për së afërmi nuk u përmbahet rregullave ndërkombëtare për siguri në ushqim.
“Standardet ndërkombëtare të ushqimit, pikë referente e kanë zbatimin e masave te HACCP, ku me pas hynë edhe ISO standardet, standarde këto që kanë për qëllim organizimin që lidhet drejtpërdrejt ose indirekt me zinxhirin e furnizimit me ushqime. Pavarësisht nga kompleksiteti i tregut, këto standarde sjellin transparencë pasi janë krijuar për të mbuluar çdo lidhje në zinxhirin e furnizimit me ushqime”, thotë Dragaçina.
Kosova si vend varet vetëm nga importi, andaj ushqimet që vijnë nga vendet tjera në shumë raste kanë rezultuar të jenë jo të sigurta.
“Po e përmendi skandalin e mishit të skaduar nga Belgjika, me mijëra tonelata mish. Pas konsumimit të atij kontigjenti hetuesia belge ka burgosur njerëz që kanë eksportuar maunet me mish të skaduar dhe ne e kemi kuptuar pas 3 viteve se kjo ka ndodh në vitin 2016”, vlerëson Dragaçina.
Një problem tjetër sipas Dragaçinës është mungesa e inspektorëve, gjë që e bën të pamundur funksionimin e këtyre standardeve.
Produkte me afat të skaduar, mish i prishur, janë vetëm disa nga pasiguritë në ushqim që i hasin qytetarët e Kosovës.
Zylfie Berisha, konsumatore e rregullt në një nga marketet në Kosovë, është tronditur kur ka parë se mishi që e kishte blerë ishte i prishur.
“Mishin që kam ble para disa ditëve kundërmojke erë të keqe, nuk guxova me përdorë”, ka thënë ajo, teksa ka ndarë përvojën e saj me ekipin e Buletinit Ekonomik.
Profesori në Fakultetin e Bujqësisë dhe të Veterinarisë, Mufail Salihaj, një pjesë të fajit ia hedh Agjensionit të Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
“Agjencioni i Ushqimit si i vetmi autoritet për kontrollin e ushqimit është vetëm një institucion i politizuar skajshmërisht ku politika tash e 20 vite e shfrytëzon për t’i rehatuar militantet e vetë. Nuk merr kuadro të reja të shkolluara në drejtimin e sigurisë ushqimore”, ka thënë Salihaj.
Sa i përket sigurisë ushqimore, Salihaj ka përmendur edhe mosfunksionimin e laboratorit të AUV-it.
“Edhe pse ka marr me mijëra euro donacione dhe mjete nga buxheti për funksionalizimin e laboratorit, i njëjti nuk funksion ose bën disa parametra që përcaktojnë cilësinë por jo dhe sigurinë ushqimore. Nuk bënë asnjë analizë toksikologjike,vasnjë analiz të mbetejeve të pesticideve dhe si i tillë çdo ushqim që konsumohet në Kosovë nuk posedon as minimumin e sigurisë”, ka shtuar Salihaj.
Sipas tij, probleme ka edhe me produktet e importuara edhe me ato vendore. Në mënyrë që të jemi në hap me shtetet tjera duhet të bëhen një sërë analizash nga institucionet përkatëse. Siç është mbikëqyrja e metaleve të rënda, mbetjet nga pesticidet, shtojcat e ushqimit (aditivët), toksinat natyrale në secilin produkt që i servohet konsumatorit etj.
“Në një punim shkencor të bërë me studentë të Teknologjisë së Ushqimit na del qe 50% të analizave të Majonezit na dalin me Sallmonell – bakterie që shkakton helmim, diare, vjellje, temperaturë, dehdrim”, thotë Salihaj.
Sipas njohësve të kësaj fushe, situata është alarmante në furra të bukës ku përdoren aditivë në doza të tepruara dhe pa u deklaruar fare.
“Situata është akoma më e keqe me prodhimet e mishit, sidomos nga mishi importuar, duhet çdo produkti me prejrdhje shtazore që del në treg ti bëhen analizat e mbetjeve të antibiotikeve, analizat e nitrateve dhe nitriteve, njëjtë me ato bimore, si dhe konsumimi e pijeve energjetike nga fëmijët e nxënsat e shkollave”, ka thënë Salihaj. /Buletini Ekonomik/