Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, së bashku me Inspektoratin e tregut, të premten ka inspektuar një kompani në Prishtinë, për të parë nga afër se sa po zbatohet udhëzimi administrativ për makineritë.
Sipas njoftimit për media, ministri Krasniqi ka theksuar se kanë angazhuar inspektorat të veçantë sa i përket inspektimit të makinerisë.
“Sot së bashku me Inspektoratin e tregut jemi në vizite të biznesit “Agribau”, i cili bën furnizimin me makineri për pajisje bujqësore. Duke u bazuar në marrëveshjen e MSA-së që na obligon të respektohet përafrimi i legjislacionit të Kosovës me BE-në dhe në këtë aspekt ne kemi nxjerrë Udhëzimin administrativ 02/ 2020 për makineritë. Për këtë arsye së bashku me inspektoratin kemi ardhur të shohim nga afër se sa po i përmbahen këtij udhëzimi administrativ. Në kuadër të këtij udhëzimi administrativ bizneset tona obligohen që në kuadër të shenjës së konfirmitetit apo importit t’i kenë disa standarde. Në këtë rast ne si Ministri e Tregtisë kemi caktuar inspektorat të veçantë sa i përket inspektimit të makinerisë dhe ky inspektorat është i furnizuat me 900 standardizime, të cilat kërkohen t’i përmbushin përmes deklaracioneve të tyre gjatë importit të këtyre makinerive. Ne si ministri do të vazhdojmë së inspektuari”, ka thënë ai.
Derisa drejtori i kësaj kompanie “Agribau”, Naim Berisha, shpreson se Ligji për sigurimin e makinerive do të zbatohet me përpikëri.
“Me rastin e hyrjes në fuqi të Ligjit për sigurimin e makinerive, ne shpresojmë që ky ligj të zbatohet me përpikëri. Ne kemi 20 kompani që përfaqësojmë nga bota dhe mund të themi se të gjitha këto kompani aplikojnë standardet sipas direktivave të BE-së”, ka thënë ai./KsP.