Agim Krasniqi, zëvendësministër në Ministrinë e Financave dhe Transfereve, ka thënë se punëtorët nuk do t’i marrin në mënyrë direkte mjetet që ka ndarë qeveria për bizneset private në shumën 60 milionë euro.
Ai ka treguar se këto mjete do të derdhen në llogari të firmave në mënyrë që të subvencionohen pagat që i ka pasur biznesi për punëtorët në dhjetor, kurse nëse është ndërmarrje e re, atëherë subvencionimi vlen nga korriku i këtij viti.
“Epoka e re”: Z. Krasniqi, kur pritet subvencionimi i pagave për punëtorët e sektorit privat? Saktësisht, kur do të dalin mjetet?
Krasniqi: Së pari të sqarojmë. Punëtorët nuk do t’i marrin në mënyrë direkte këto mjete, por këto mjete vendosen në ndërmarrje private, në llogari të firmës, në mënyrë që të subvencionohen pagat që i ka pasur biznesi për punëtorët në dhjetor, nëse është ndërmarrje e re, atëherë subvencionimi vlen nga korrik i këtij viti. Qëllimi është se me vendosjen e këtyre mjeteve në një ndërmarrje, i mundësojmë ndërmarrjes që t’i ruajë punëtorët që ka. Prandaj i jepet një mundësi ndërmarrjes që ka probleme me likuiditet dhe pagesë të pagave, pra kjo do të jetë ndihmë direkte për ndërmarrjet. Ta kemi të qartë se procedura nuk është si herën e kaluar, kur ishte mundësia për t’u vendosur a do të shkojnë paratë nëpër ndërmarrje apo nëpër llogaritë e punëtorëve. Pra, në këtë rast paratë shkojnë në llogari të ndërmarrjes. E dyta që është me rëndësi, nuk do të ketë nevojë për aplikime pasi listat do të merren nga ATK-ja dhe mbi bazën e këtyre listave të verifikuara nga ATK-ja, aq sa ndërmarrja ka pasur punëtorë, aq do të subvencionohet. Ne kemi formuar një komision që brenda dy ditësh do t’i identifikojë kompanitë që nuk janë përfituese dhe që kanë të bëjnë me tregun e rregulluar. Do të thotë, bizneset që kanë treg të rregulluar dhe të cilat verifikohen përmes listës në ATK do të përjashtohen dhe ky komision duhet ta përfundojë punën brenda kësaj jave. Besoj se javën tjetër do të fillojë dhe do të përfundojë ekzekutimi i mjeteve, pasi më nuk ka nevojë për të aplikuar.
Ka pasur shumë ankesa në drejtim të pronarëve që kanë marrë mjete, por nuk i kanë paguar sërish punëtorët. A do të ketë, në këto raste, verifikim nga shteti?
Krasniqi: Nga pakoja e parë kanë mbetur kriteret e paqarta, ndërsa kjo pjesa e 60 milionëshit është shumë e qartë dhe s’ka dykuptueshmëri. Mjetet do të shkojnë në llogari të punëdhënësit si ndihmë, si subvencionim pagash për punëtorët të cilët ai i ka të punësuar. Kjo nuk është pagë shtesë, por është subvencionim për paga. Nëse flisni për pakon emergjente, atëherë ka pasur mundësi që një ndërmarrje në muajin e parë t’ua bartë mjetet punëtorëve, kurse në muajin e dytë i ka paguar punëtorët dhe pastaj është bërë pagesa, por ajo çfarë po mungon është komunikimi në mes të punëdhënësit dhe punëtorëve. Punëdhënësit duhet t’ua sqarojnë punëtorëve se pjesën e dytë të Pakos Emergjente mjetet janë derdhur mbi bazën e kërkesës së punëdhënësve dhe jo punëtorëve. Kësaj radhe s’do të ketë më këso gjërash. Saktë, mjetet shkojnë për punëdhënësin ose ndërmarrjen.
Si do të bëhet kategorizimi i këtyre mjeteve?
Krasniqi: Pasi të përjashtohen kompanitë e rregulluara do të dihet saktësisht që prej 92 000, diku 93 000 bizneseve sa janë aktive. Do të dihet saktë sa do të jetë numri i punëtorëve. Maksimumi që ne i kemi të dhënat nga ATK-ja në sektorin privat janë 236 000 të punësuar, por kur t’i përjashtojmë këto ndërmarrje atëherë ky numër do të bjerë. Në momentin që komisioni na tregon saktë sa është nuri i punëtorëve, atëherë 60 milionëshi pjesëtohet me atë numër të punëtorëve dhe pagesa do të bëhet menjëherë dhe do të vendoset nëpër llogari të bizneseve.
Z. Krasniqi, bizneseve do t’u ndahen mjetet për kokë punëtori apo si?
Krasniqi: Kur të shikohet numri i saktë se sa punëtorë do të jenë. Supozojmë se do të jenë 200 000 punëtorë, atëherë 60 milionëshi pjesëtohet me 200 mijë dhe caktohet sa do të jetë shuma për individ. Po e supozojmë se do të jetë 300 euro, atëherë një kompani që i ka 100 punëtorë do t’i marrë 30 000 euro, kurse kompania që ka pesë punëtorë i bie t’i marrë 1 500 euro.