Në listën e siguruar nga T7, shihen politikanë nga të gjitha partitë që kanë përfituar nga privatizimi
Një pjesë e këtyre tokave në Gllogjan i takojnë ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në kohën kur AKP po privatizonte pronat shoqërore, Haradinaj bleu 200 hektarë tokë të shtetit.
Për këto prona, Familja Haradinaj ka paguar 75,000 euro.
Kryetari i AAK-së, ka thënë se i ka blerë këto toka për t’ia kthyer Gllogjanit pronat që ish sistemi ua kishte marrë banorëve.
Por, ky nuk është i vetmi nga Haradinajt e Gllogjanit që përfitoi nga privatizimi.
Edhe Nasim Haradinaj, bleu tokë nga AKP-ja.
Në vitin 2004 ai ka blerë 220 hektarë tokë shoqërore, që i kushtuan atij 3 milionë e 300 mijë euro.
Por ka edhe shumë të tjerë që sot janë persona publik dhe që kanë përfituar nga Privatizimi.
Në dokumentet që T7 ka siguruar, shihet se në AKP shumë toka bujqësore, lokale e fabrika janë blerë nga ata që sot mbajtë pozita të caktuara shtetërore.
Por që në disa raste blerjen e kanë bërë në emër të vëllezërve dhe familjarëve të tyre.
Aty shihet se Selman Selimi, vëllai i ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, ka privatizuar tokë prej më shumë se 3 hektarë tokë në vlerë prej 390 mijë eurove.
Në vitin 2014 ai kishte privatizuar edhe një tokë tjetër në vlerë prej 164 mijë eurove. Po në vitin 2014, në emrin e Selman Selimit është privatizuar një parcelë tokë dhe një ndërtesë administrative në vlerë prej 101 mijë eurosh.
Ilaz Selimi, vëllai i deputetit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, në vitin 2009 ka privatizuar edhe një hapësirë tokë bujqësore prej 1,938 metra katrorë në vlerë prej 102 mijë eurove.
E blerje nga AKP pati edhe nga vëllau i Gani Gecit, Halil Geci.
Nën emrin e Halil Gecit në vitin 2005 është privatizuar fabrika “Përparimi LLC” në Skenderaj për 1 milion e 200 mijë euro.
Njëjte ka vepruar edhe vëllai tjetër i Gani Gecit, Nebih Geci.
Në këto lista shihet se Geci ka privatizuar më shumë se 2 mijë metra katrorë tokë bujqësore në vlerë prej 155 mijë eurove në vitin 2009.
Në të njëjtën ditë, figuron se ai e ka privatizuar edhe një tjetër parcelë në vlerë prej 200 mijë eurosh.
E njëjte veproi edhe Musa Jashari, që ishte përgjegjës për Veprime Operacionale në Zonën e Pashtrikut në luftën e UÇK-së.
Jashari ka privatizuar një lokal dhe tokë në Mitrovicë në vlerë prej 39 mijë eurosh në vitin 2007.
E pa privatizuar toka nuk kanë mbetur edhe politikanë të tjerë.
Nevzad Isufi, kryetar i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes “Vetëvendosje” në Gjilan, në vitin 2014 ka privatizuar 186,034.00 metra katrorë, tokë kullosa në vlerë prej 80 mijë eurove.
Pak para se të blejë tokën, Isufi në Agjencinë Kundër Korrupsionit kishte deklaruar para në bankë rreth 15 mijë euro, ndërkohë pasi e ka blerë tokën, në vitin 2015 ka deklaruar para të gatshme në bankë vetëm 350 euro dhe nuk ka deklaruar ndonjë borxh.
Edhe ish-deputet i Lëvizjes “Vetëvendosje” , Florin Kelmendi në kohën sa ka qenë deputet, në vitin 2012 e ka privatizuar një lokal 70 metra katrorë për vetëm 5,500 euro.
Këta janë vetëm disa nga emrat e atyre që përmes privatizimit kanë blerë prona me një çmim të ulët kurse tash vlera e tyre është shumë e madhe.