Ekonomisti Edison Jakurti ka publikuar të dhëna që tregojnë një rritje të ndjeshme të fitimit neto të bankave në Kosovë gjatë periudhës postpandemike. Sipas tij, fitimi neto i sektorit bankar është rritur për 77 për qind në periudhën 2021–2025, krahasuar me periudhën parapandemike 2015–2019.
Jakurti bën të ditur se në vitet 2015–2019, bankat në Kosovë kanë realizuar rreth 430 milionë euro fitim neto, ndërsa në periudhën 2021–2025 ky fitim ka arritur në rreth 760 milionë euro, apo rreth 330 milionë euro më shumë. Këto shifra, sipas tij, nuk përfshijnë ende të dhënat për dhjetorin e vitit 2025, të cilat ende nuk janë publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës.
Në këtë kontekst, Jakurti i referohet edhe raporteve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), sipas të cilave mbi 50 për qind e rritjes së çmimeve në nivel global gjatë periudhës postpandemike shpjegohet me rritjen e fitimeve të korporatave, fenomen që njihet si “lakmia korporative”.
Duke e ndërlidhur këtë situatë me sistemin tatimor në Kosovë, Jakurti thekson se barra fiskale nuk është e shpërndarë në mënyrë të barabartë. Sipas tij, punëtorët dhe mikrobizneset, siç janë kioskat, paguajnë tatime, ndërsa aksionarët që përfitojnë miliona euro nga dividentët nuk paguajnë tatim mbi to.
“Nuk mund të thuash se je i majtë dhe në të njëjtën kohë të mburresh që po fitojnë korporatat. Nuk shkojnë të dyja bashkë”, ka shkruar Jakurti, duke ngritur kritika ndaj politikave ekonomike dhe fiskale në vend. /Buletini Ekonomik/









