Ani pse Ligji për investime strategjike është miratuar me shumë se 2 vite, deri më tani në vendin tonë është shpallur vetëm një investitorë strategjik, derisa kanë aplikuar për këtë status dhjetëra kompani të huaja dhe vendore, ndërsa në vendet e rajonit çdo vit kalojnë me dhjetëra investitorë.
Kjo ka bërë edhe diferencën e madhe të të punësuarve në rajon dhe në Kosovës, ku si pasojë kemi edhe buxhetin e ulët të shtetit .
Një kompani vendore ka mbetur në procedurë për t’u shpallur investitor strategjik nga Qeveria, e cila pritet të ndodhë në mbledhjen e radhës, pas shtyrjes disa herë me kërkesë të kryeministrit Avdullah Hoti.
Ndërsa, kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës Skënder Krasniqi ka fajësuar Qeverinë po vazhdon të pengon ardhjen e investimeve strategjike.
Shefi i kabinetit të ministrit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Albert Maxhuni ka thënë për KosovaPress, se fatkeqësisht deri më tani vetëm një investitorë ka fituar statusin e investitorit strategjik në Kosovë.
Për mungesë të investimeve strategjike, Maxhuni ka thënë se ka pasur mjaft procedura burokratike për aplikuesit e këtij statusi, por pas ardhjes së ministrit të MTI-së, Vesel Krasniqi janë bërë disa lehtësime të procedurave për investitorët.
Maxhuni pret që në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, kompania “Kosmonte Foods SHPK” të shpallet investitor strategjik.
Maxhuni: Kemi eliminuar disa procedura burokratike për investime strategjike
“Disa procedura burokratike që duhet të kalohen, që fatkeqësisht janë mjaft burokratike, dhe me marrjen e detyrës të ministrit Krasniqi kemi krijuar një ekip punues për të bërë disa plotësim ndryshime për lehtësimin e disa procedurave për marrjen e statusit të investitorit strategjik… Në mbledhjen e fundit të qeverisë ministri Krasniqi ka treguar se në të gjitha Komisionet dhe Grupet Punuese që kanë marrë pjesë në procedimin e lëndës deri aty ka qenë gjithçka në rregull. Kryeministri mendoj që duhet edhe një konsultë tjetër… Por, besoj që gjithsesi në mbledhjen e ardhshme do të kalojë “Kosmonte Foods SHPK”… Është dashur atë ditë të përfundoj, por është mendim i kryeministrit dhe besoj se shumë shpejt do të kalojë… Largimi i ministrit nga mbledhja ishte për shkak të agjendës së ministrit, jo në mënyrë demonstrative”, thotë Maxhuni.
Ai po ashtu theksoi se deri në fund të vitit pritet të fitojnë statusin e investitorit strategjik 4 deri 5 kompani.
Maxhuni: Deri tash kemi vetëm një investitor strategjik
“Deri tash janë diku rreth 30 aplikant për të fituar statusin e investitorit strategjik. Jemi duke bërë të pamundurën që së bashku edhe me KIESA-n dhe me ekspert të tjerë që t’i shtyjmë sa më shumë… Deri më tani vetëm një investitorë strategjik e ka fituar këtë të drejt, ndërsa “Kosmonte Foods SHPK” tashmë është në procedurë, në Qeveri. Ndërsa, janë edhe katër ose pesë të tjera që pritet shumë shpejt të drejtohen në qeveri”, thotë ai.
Në anën tjetër, kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës(OAK), Skënder Krasniqi thotë se fatkeqësisht Qeveria e Kosovës nuk po arrin me i përmbushë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve për një mirëqenie më të mirë, për rritje të punësimit dhe lehtësim të të bërit biznes.
Krasniqi po ashtu ka thënë se përkundër që është miratuar Ligji për investime strategjike, shumë vite më parë dhe ka dhjetëra aplikacione për investitorë strategjik, Qeveria e Kosovës ka vendosur barriera ndaj këtyre kompanive që i plotësojnë kriteret.
Krasniqi: Qeveria vazhdon të pengojë ardhjen e investitorëve strategjik
“Jemi duke parë që këto nuk po kalojnë tani në qeverinë e Kosovës, ka qe disa mbledhje të qeverisë që po i shtynë votimin e kalimit të investitorëve strategjik. Prandaj, me këtë po vazhdon të pengohet ardhja e investitorëve, vazhdon të pengohen investimet pavarësisht se këto po i plotësojnë kërkesat nga Komisioni ndërministror për investime”, thekson Krasniqi.
Ai shtoi se nëse vazhdon kjo neglizhencë e Qeverisë së Kosovës, edhe komuniteti i biznesit e ka të vështirë t’i ftojë ato kompani për investime.
Krasniqi: Qindra investitor vendor që janë të interesuar të investojnë në Kosovë
“Për këtë arsye, ne si biznese e kemi të pa mundur të bëjmë plane për investime strategjike në Kosovë, por, edhe të ftojmë dikë me investuar si rezultat i pengesave që shteti i ka krijuar për investitor të huaj dhe vendor. Sepse ka qindra investitor vendor që janë të interesuar të investojnë në Kosovë, por e kanë të pa mundur të investojnë nëse vazhdon kjo neglizhencë, mos kordinim, mos punë e qeverisë së Kosovës për ardhjen e investitorëve dhe investimeve”, thotë ai.
Ndërsa, nga Zyra e Kryeministrit nuk kanë dhënë sqarime përse nuk po shpallen investitorët strategjik nga Qeveria.
Ndryshe, mbledhja e fundit në Qeveri ishte nisur me kërkesën e kryeministrit e kryeministrit të vendit Avdullah Hoti, që nga rendi i ditës të shtyhet pika për shqyrtimin e vendimit për dhënien e statusit investitor strategjik për subjektin investues “Kosmonte Foods SHPK”.
Kërkesën e kryeministrit e kishte kundërshtuar ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, i cili ka thënë se nuk ka arsye që kjo pikë e rendit të ditës të mos shqyrtohet.
Krasniqi: Nuk shoh një arsye me e shty
“Është shumë interesant që prej datës 1, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e ka bërë këtë kërkesë që të futet në rend të ditës dhe janë kryer të gjitha procedurat, të gjitha interpretimet ligjore dhe të gjitha janë kthyer pozitive dhe nuk shoh një arsye pse të shtyhet kjo pikë e rendit të ditës për mbledhjen tjetër”, ka thënë Krasniqi.
Kryeministri Avdullah Hoti, është shprehur se nuk do të jetë vonesë nëse shtyhet për mbledhjen e radhës.
Hoti: për mbledhjen tjetër nuk është ndonjë vonesë e madhe
“Besoj që shtyhet për mbledhjen tjetër nuk është ndonjë vonesë e madhe edhe i qartësojmë të gjitha çështjet lidhur me këtë pikë. Ta keni parasysh që pikat sigurisht përveç që duhet të marrin miratimin, pra t’i plotësojnë të gjitha procedurat teknike, ligjore për të hyrë në rend të ditës, ka edhe aspekte të tjera që ne duhet t’i marrim parasysh”, ka thënë Hoti në mbledhje të Qeverisë.
Kosova ka vetëm një investitor staregjik, e ai është “SOWI Kosova” për energji të ripërtrithshme në Shalë të Bajgorës