Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes, Hysen Vrajolli tregon se shkak u bënë borxhet e grumbulluara ndaj furnizuesve, si dhe kërkesa e disa prej punëtorëve për të tërhequr pagat jubilare.
“Në Trepçë llogaria tashmë e kam kuptuar se është bllokuar vetëm për 800 euro që nuk i kemi pasur, edhe atë e kanë bllokuar punëtorë të cilët me paga jubilare i kanë tërhequr pagat jubilare dhe nuk ka pasur mjete të mjaftueshme dhe është bllokuar llogaria. Shpresojmë që sot e zhbllokojmë xhirollogarinë e Trepçës”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Hysen Vrajolli.
Kështu, Vrajolli thotë se nëse Qeveria nuk u ndihmon, atëherë rrezikohen edhe pagat e punëtorëve.
Habib Asllani, që ka 41 vjet që punon në këtë ndërmarrje thotë se kur po ndodhin gjëra të tilla, atij e kolegëve të tjerë po u humbet motivi për punë.
“Vjen radha në muajin e ardhshëm me e marrë rrogën, nuk e di unë sa punëtori është varë vetëm prej qesaj rroge, kanë kredi kanë të gjitha. E hup motivin edhe ska shpresë me punu, me gjithëse na të shkretit na kallaj në sipërfaqe që flasim, por duhet me u futë tek ata në minierë edhe me e pa në çfarë gjendje po gjinden”, deklaroi Habib Asllani.
Kryetari i sindikatës së punëtorëve, Gani Osmani, thotë se për këtë çështje mund të ketë edhe protesta e greva, përcjell Telegrafi.
“Ne sot në mëngjes kemi pasur reagim edhe nga punëtorët prej minierës që na kanë telefonu dhe na kanë thanë që me jav tërhek vërejtjen edhe menaxhmentit edhe qeverisë që nëse nuk reagojnë ose nuk bëjnë zgjidhjen e problemit edhe nuk mund t’i marrim pagat prej 7 deri më 10, kanë me u hudhë në grevë, e ndoshta edhe në protestë”, deklaroi Gani Osmani.
Në Trepçë, situatën e rendoi edhe pandemia.
“Ne 100% të prodhimit e eksportojmë jashtë vendit. Koncentratet kanë rënë në mënyrë drastike. Një shembull ilustrues po e jap, përderisa një ton zink para pandemisë ka qenë 1,260 dollarë, ne e kemi shitë me 360 dollarë”, deklaroi më tej Hysen Vrajolli./RTV Dukagjini/