Vjosa Osmani, Mimoza Kusari e Donika Kadaj vijnë me një propozim për rimëkëmbjen ekonomike

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka kërkuar që Qeveria duhet t’u japë përparësi kompanive prodhuese si atyre të produkteve apo të shërbimeve. Osmani ka theksuar se këto kompani aktualisht e kanë të vështirë të konkurrojnë në treg, andaj vlerëson se Qeveria duhet të ketë masa preferenciale.

Ky sektor, Osmani thotë se është goditur rëndë nga kriza e pandemisë, andaj thotë se “zhvillimi i politikave që kanë për synim mbrojtjen e vendeve të punës në sektorin e prodhimit vendor dhe shërbimeve vendore është e domosdoshme”. Për ta, thotë se bashkë me deputetet Mimoza Kusari-Lila dhe Donika Kadaj-Bujupi kanë propozuar amandament të veçantë në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, nëpërmjet të cilit arrihet po ky qëllim dhe ndihmohen prodhuesit vendor dhe ofruesit e shërbimeve vendore.

“Legjislacioni aktual përveç që nuk parasheh preferenca për kompanitë prodhuese dhe shërbyese vendore, ato në fakt diskriminohen në fillim të procesit të tenderimit. Shpeshherë, specifikimet janë hartuar në atë mënyrë që e bëjnë të pamundur për kompanitë lokale prodhuese dhe shërbyese të konkurrojnë në procese tenderuese. Prandaj, në këtë periudhë, në shpenzimet qeveritare qofshin ato blerje publike apo investime kapitale duhet t’i jepet përparësi kompanive prodhuese si të produkteve apo edhe të shërbimeve. Aktualisht, kompanitë lokale prodhuese dhe shërbyese e kanë shumë të vështirë të konkurrojnë andaj duhet të kemi masa preferenciale. Ne nuk do të jemi vendi i parë që do të ndërmerrnim masa të tilla, sepse ato tashmë janë bërë nga një numër shtetesh, përfshi shtete të rajonit që gjithashtu kanë nënshkruar MSA dhe synojnë integrimin evropian”, ka shkruar Osmani.

Reklama e sponzorizuar

Nëpërmjet këtij amendamenti parashihen përparësitë për prodhuesit e produkteve dhe shërbimeve vendore përmes një neni të veçantë. Osmani shpreson që ky propozim do ta marrë përkrahjen e deputetëve të të gjitha partive.

“Nëse ne nuk zgjedhim t’u qëndrojmë në krah të prodhuesve tanë vendor, atëherë kush?”, ka shkruar Osmani.