Gastronomët kërkojnë nga Qeveria rishikim të masave anti-COVID-19

Shoqata e Gastronomeve kundërshton masat e reja anti-Covid, pasi sipas tyre dëmet ekonomike do të përkeqësohen edhe më shumë. Ata madje thonë se kufizimi i punës së këtij sektori deri në orën 19:00, po i detyron bizneset të mbyllin lokalet edhe më herët në mënyrë që të mos ketë dënime për punëtorët.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Gastronomisë, Arian Vranica, në një intervistë për KosovaPress, thekson se masat e reja janë të dëmshme për faktin se afarizmi në sektorin e gastronomisë qarkullon më së shumti në mbrëmje.

Ai shton se në bazë të këtyre masave, janë detyruar që lokalet t’i mbyllin edhe më herët për shkak të orës policore.

Reklama e sponzorizuar

“Sigurisht është e dëmshme për arsye se afarizmi qarkullon më së shumti në mbrëmje sidomos te sektori jonë dhe ajo për neve është një dëm i jashtëzakonshëm. Po ashtu kemi kritika sidomos te puna e orarit, kufizimit të lëvizjes, sidomos te këto komuna me rrezikshmëri të lartë për arsye se prapë u bë gabimi i njëjtë, duke e pasur të njëjtë kufizimin kohor edhe te ushtrimi i biznesit edhe te kufizimi i lëvizjes, për arsye se kjo prapë ndikon se bizneset duhet të mbyllen më herët, në mënyrë që të mos dëmtohen punëtorët”, thotë ai.

Problematik kryesore Vranica po e konsideron dënimin që punëtorët e gastronomisë po hasin gjatë udhëtimit nga puna për në shtëpi, për çka thekson se qeveria duhet të gjejë zgjidhje edhe për transportin publik.

“Po shkaktohen probleme të mëdha në likuiditet, në shpenzime operative, punëtorët tani mund të rrezikohen që të dënohen shumë edhe kjo ndikon në shkaktimin e pakënaqësive të tyre dhe duhet gjetur zgjidhje edhe për sektor tjerë për shembull të transportit publik sepse ka punëtor që udhëtojnë dhe duhet kjo veprimtari të ishte menduar më mirë që të lejohet më shumë”, deklaron ai.

Ai bën të ditur se i kanë dhënë një afat të caktuar kohor qeverisë për miratimin e kërkesave të tyre. Derisa shton se ndër kërkesat e tyre është edhe ndryshimi i vendimit të masave për parandalimin e virusit.

“Kemi dhënë një afat kohorë për miratimin e kërkesave tona ose për të na dhënë një lloj përgjigje konkrete për arsye se kështu nuk mund të vazhdojmë sepse bizneset po falimentojnë… Kemi kërkesë që sa më shpejtë që në nëntor të bëhen veprime të tilla financiare, të subvencionohen linjat e pagave të punëtorëve, të mbulohen qiratë, shpenzimet operative, të tentohet të bëhet shtyrja e kredive deri në përfundimin e pandemisë dhe natyrisht të bëhen disa ndryshime sa i përket vendimeve të masave për parandalimin virusit”, thotë ai.

Me vendimet e reja të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, gastronomisë i lejohet të ushtrojë veprimtarinë deri në orën 19:00.

KosovaPress ka tentuar që të marrë prononcime nga disa lokale të gastronomisë në kryeqytet, por që këta të fundit nuk kanë pranuar të prononcohen.