Kontrata e dyshimtë e MIT: Paguan një cent për metër katror të asfaltit e 100 euro për kapak të pusetës

Një kontratë e dyshimtë është duke u zbatuar nga Ministria e Infrastrukturës që ka të bëjë me mirëmbajtjen e rrugës Prishtinë –Pejë dhe autostradën “Ibrahim Rugova”.

100 euro, një kapak i pusetës po i kushton Ministrisë së Infrastrukturës në mirëmbajtjen e rrugës, ndërsa një metër katror i asfaltit i shtresës 4 centimetra po i kushton 1 cent, shkruan lajmi.net.

Rreth 8600 metër katror asfalt ka shtruar së fundmi kompania e kontraktuar për mirëmbajtje të rrugës nga MI në rrugën nacionale N9, në Gjergjicë të Drenasit. Kjo gjatësi e riparimit të asfaltit i ka kushtuar ministrisë 8600 cent, ose 86 euro, pasi në kontratë ka qenë e cekur 1 m2 për shtresën deri në 4 centimetra.

Reklama e sponzorizuar

Kjo kontratë është shumë e dyshimtë, pasi çmimi prej 1 cent është jashtë çdo norme të çmimit aktual të tregut. Nga ana tjetër, ministria po paguan 100 euro për një kapak të një pusete në këtë rrugë.

Sipas kontratës që e ka parë lajmi.net, çmimet që po aplikohen janë shumë të çrregullta, pasi disa pozicione që duhet të mirëmbahen vazhdimisht kanë çmime shumë të larta.

Lajmi.net ka kërkuar një interpretim ligjor nga ana e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, sa i përket kësaj kontrate, konkretisht nëse çmimi i vendosur prej 1 cent, është i ligjshëm, por KRPP-ja nuk ka kthyer akoma përgjigje. LPP-ja i penalizon çmimet e vendosura që janë shumë të ulëta, me një nen që ka të bëjë për “çmimet jo normalisht të ulëta”.

Lajmi.net ka biseduar me njërin prej inxhinierëve të kompanisë “Famis Co”. Ai e ka pranuar se pagesa për m2 për shtresën e asfaltit është paguar nga 1 cent. “Po është paguar ashtu siç po thoni ju. Trashësia ka qenë 4 centimetra. Pagesa është bërë konform kontratës, nga 1 cent. Këtu nuk ka asgjë të keqe, po të shfaqet nevoja për sanim në do të intervenojmë prapë”, tha inxhinieri i kësaj kompanie për lajmi.net.

Sipas të dhënave të ministrisë, kontraktori i tyre ka shtruar asfalt në rrugën Nacionale N9 në sasi prej 8600 m2.

“Sa i përket kontratës “Mirëmbajtja rutinore dhe dimërore të auto-udhës A7 (Ibrahim Rugova) e A6, nga udhëkryqi A7, A6 deri në kyçjen në Konjuhë si dhe rrugën Nacionale N9”, kjo kontratë është  kornizë (tre vjeçare), e kontraktuar në gusht të vitit 2019. Në paramasë dhe parallogari janë planifikuar punët që duhen të kryhen. Javën e kaluar OE (Operatori Ekonomik) ka intervenuar në përmirësimin e shtresës qarkulluese sipas urdhëresës së Menaxherit të Projektit sipas nevojës në terren. Këto intervenime janë kryer sipas kushteve teknike të parapra në këtë kontratë, ku në këtë pjesë është intervenuar në shtresë qarkulluese rreth 8.600 m2, ku çmimi njësi do të paguhet sipas kushteve në kontratës”, thuhet në një përgjigje për lajmi.net të zyrës për komunikim me publikun të Ministrisë së Infrastrukturës.

“Zbatimi i kontratës do të vazhdojë dhe po analizohen hapësirat e reja për ekzekutimin e pozicioneve sipas kontratës”, thuhet tutje në përgjigjen e minsitrisë.

Lajmi.net ka mësuar se në këtë kontratë është tejkaluar buxheti i paraparë për këtë vit, pasi janë kryer shumë pagesa për pozicionet tjera të mirëmbajtjes, pozicione këto të cilat janë shumë më të larta se çmimi aktual në treg.

Ministria nuk është përgjigjur në pyetjen se sa është vlera e pagesës së paguar deri më tani për këtë kontratë e cila është valide deri në vitin 2022.

Lajmi.net ka shikuar çmimet e asfaltit në tregun Kosovarë. Mesatarisht 1 m2 i trashësisë 4 centimetra aq sa e ka shtruar ministria, kushton rreth 5 euro e 30 centë, që i bije se 8600 m2 asfalt kushtojnë rreth 45 mijë euro. (Çmimi është dukshëm më i lartë nëse kihet parasysh edhe shtresa e dheut që hiqet dhe e gurëve të bazës së asfaltit).

Kjo kontratë quhet “Mirëmbajtja rutinore dhe dimërore të autoudhës A7 (Ibrahim Rugova) e A6, nga udhëkryqi A7 A6 deri në kyçjen në Konjuh si dhe rrugën Nacionale N9”. Për këtë tender ishin nënshkruar dy kontrata, pasi ka qenë i ndarë në dy pjesë.

Lot 1 (pjesën e parë) e kishte fituar kompania “Famis Co –HC” SHA në vlerë të përgjithshme për tri vite 4, 276, 744. 89 euro. Pjesën e dytë grupi i kompanive “Damstation Project & Via Engantia& Urban” në vlerë prej 3, 500, 654.70 euro. Kontrata ishin nënshtruar  në shtator të vitit 2019  në mes të palëve. Nga Ministria e Infrastrukturës firmën në kontratë e ka vënë ministri Pal Lekaj, sekretari Betim Reçica dhe zyrtarja përgjegjëse e prokurimit, Valmira Bllaca.

Edhe kompania në lot II, ka vendosur çmime enorme të intervenimit në asfalt, një çmim prej 10 cent për m2. Edhe kjo kompani aktualisht është duke intervenuar në një pjesë me shtrim të asfaltit. Ndërkohë, ka një mosbalanc shumë të madh në mes dy kontratave për punët e njëjta.

Tek pjesa e dytë e kontratës për lot 1 –Lista e çmimeve është shënuar përshkrimi i punëve që duhet të kryhen, sasia për tri vite dhe çmimi i njësisë me tvsh. Pozicioni i pestë i pjesës së dytë të kontratës ka të bëjë me mirëmbajtjen e shtresave të asfaltit, ku janë cekur rreth 30 nën pozicione.

Një nënpozicion ka të bëjë me “pastrimi dhe larja e kohëpaskohshme e sipërfaqes qarkulluese, sipas udhëzimit të organit mbikëqyrës (së paku dy herë në vit)”. Sasia për tri vite është shënuar 180 kilometra, për një kilometër shërbimi që do të kryhet është shënuar 1 cent ose 1 euro e 80 centë për tri vite.

“Riparimi i gropëzimeve, gjurmëve, plasaritjeve të shtresës qarkulluese deri në 4 centimetra trashësi”, ishte paraparë për riparimin e 1, 050.00 m2, që do të kryhej nga 1 centë, ose gjithsejtë për 3 vite 10 euro e 50 cent.

Ndërsa pozicioni të cilin e ka aplikuar ministria tek asfaltimi është “gërryerja e asfaltimit me Wirtgen në thellësi deri në 4 centimetra, që në kontratë ishte shënuar sasia e parashikuar 17, 550.00 m2, më çmim nga një cent, ose 175 euro e 50 centë çmimi për kryerjen e këtij shërbimi për tri vite.

Çmime nga 1 centë kompania kishte vendosur edhe tek disa pozicione tek kategoria “Mirëmbajtja e trupit të rrugës”:

Në pozicionet e paramasës që kishte vendosur ministria, kompania që kishte lidhur kontratë me ministrinë kishte vendosur çmime tjera shumë të larta të cilat janë më të ulëta në treg dhe më të cilat pozicione kompania do të përballet në rrugë shpesh, gjë që do t’ia mundësonte fitimin shumë të lartë. Psh. çmimi thuajse enorm shihet tek pozicioni i parë “Inspektimi ditor të rregullta të autoudhës duke përfshirë edhe strukturat dhe objektet për largimin e ujërave”. Për 36 muaj ky pozicion është paraparë në sasi për 36 muaj, në një çmim prej njësi (1 muaj) 25 mijë euro ose në total për 36 muaj 900 mijë euro.

Tek i njëjti pozicion kompania në lotin 2 ka çmim për njësi 6000 eurove, ose për 36 muaj 216 mijë euro.

Po ashtu, nëse kompania “Damstation”, tek pozicioni “Prerja e barit dhe vegjetacionit nga pjerrtësia e skarpaleve (mbushjeve dhe gërmimeve) tri herë në vit për fshirë dy anët e rrugës ka vendosur çmime për njësi në vlerë prej 800 eurove për 180 km, ose çmime për 36 muaj në vlerë prej 144 mijë eurove, kompania “Famisë Co” tek ky pozicion për të njëjtën gjatësi 180 km ka vendosur çmim për njësi 2200 euro, ose për 36 muaj 396 mijë euro. Që çmimi i ofertës mos të shkojë shumë larg, kompania e kishte ulur çmimin shumë poshtë tek një pozicion që nuk do të merrej shumë me të. Menjëherë ndër pozicionin e sipër-shënuar ka vendosur çmim prej 1 cent tek prerja dhe largimi i shkurreve, ku ishte paraparë një gjatësi prej 6000 m2 në një vlerë totale prej 60 eurove. Ky pozicion tek lot 2 është vendosur për 25 euro m2.

Tek poziconi “Mirëmbajtja e objekteve për largimin e ujërave”, ose tek kategoria “Pastrimi i rigolave dhe bermës (dy herë në vit dhe pas reshjeve të mëdha atmosferike), është vendosur një çmim i lartë. Për 195 mijë M2 është paraparë shuma prej 975 mijë euro, ose 5 euro m2. I njëjti produkt tek lot 2 për 1 m2 është vendosur çmimi prej 1 euro e 20 cent m2.

Për pastrimin e  kanaleve nga betoni, kompania është duke aplikuar një çmim prej 7 euro e 50 cent për m2, e që sasia e tërësishme e kërkuar është vendosur 126 mijë m2 që kap një shifër për tri vite në vlerë prej 945 mijë eurove. Tek pozicioni i njëjtë në lot 2 kjo punë është duke u kryer shumë më lirë, ose për 40 cent m2.

Një çmim shumë i lartë është vendosur edhe tek “ndërrimi i grilave te ujëmbledhëseve”, për një sasi figuron çmimi 100 euro. Ndërsa “ndërrimi i kapakëve të dëmtuar të pusetave” është vendosur po ashtu çmimi 100 euro për copë, ndërsa ky pozicion tek kontrata lot 2 kushton 1 euro e 40 cent.

Menaxher i kontratës ne lot 1 është zyrtari i MI, Lahudin Myrtaj.

Kontrata e Famis Co:

]

Kontrata lot II e lidhur me “Damstation Project & Via Engantia& Urban”