Në kohën kur Telekomi i kishte të bllokuara llogaritë dhe punëtorët e tij ishin pa paga, kjo ndërmarrje ia ka shitur skrapin kompanisë me ofertën më të lirë. Edhe pse Komisioni për vlerësimin e ofertave kishte rekomanduar kompaninë me ofertën më të lartë, shefi i prokurimit, Fatmir Gjonbalaj, e ka shpallur këtë kompani të papërgjegjshme, ndërsa e ka pranuar ofertën më të lirë
Kriza financiare nuk e ka penguar Telekomin e Kosovës që të shesë më lirë materialet e papërdorshme. Në javën kur funksiononte me llogari të bllokuara, ajo ka shpërblyer me kontratë një kompani që ka ofertuar vetëm 117 mijë e 678 euro apo mbi 163 mijë euro më pak sesa kompania me ofertën më të lartë.
Kjo ndërmarrje më 7 tetor kishte bërë ftesë publike për shitjen e materialeve të papërdorshme, siç janë kabllo bakri, antena dhe materiale të tjera të teknologjisë së informacionit. Kusht për dhënin e kontratës ishte çmimi më i lartë. Në këtë tender kanë ofertuar gjashtë kompani. Edhe pse, siç mëson KOHA, komisioni vlerësues ka rekomanduar kompaninë “G-Plus sh.p.k” për kontratë, e cila kishte ofruar mbi 280 mijë euro për blerjen e skrapit, shefi i prokurimit, Fatmir Gjonbalaj, ka shpërblyer me kontratë kompaninë “Rec Kos sh.p.k”, e cila kishte ofruar 117 mijë e 678 euro. Ndërsa ofertuesit e tjerë i ka shpallur të papërgjegjshëm.
KOHA merr vesh se shkaku i çmimit të lirë të shitjes së skrapit tashmë është duke u hetuar edhe nga Departamenti i Hetimeve në Telekom. Për blerjen e skrapit kanë ofertuar edhe kompanitë “Metal-Mix sh.p.k”, Ismet Murtezaj, consortium “Fahredin Pllana B.I” dhe “N.T.Sh Stina” dhe “M-Shkodrani”. Ofertën më të madhe nga këto kompani e kishin ofertuar consortiumi “Fahredin Pllana B.I” dhe “N.T.Sh Stina”, por që nuk kanë dorëzuar deklaratën nën betim dhe për këtë janë shpallur të papërgjegjshme.
Telekomi, gjatë ditës së enjte, nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS rreth kontratës.
Ndërkohë, në arsyetimin e refuzimit të ofertës së “G-Plus” nga shefi i prokurimit, thuhet se “tenderi është refuzuar pasi operatori ekonomik nuk ka kthyer përgjigje në kërkesën për sqarime të tenderit të bërë nga autoriteti kontraktues, brenda afatit të dhënë lidhur me licencën e dorëzuar dhe nuk ka dorëzuar asnjë dëshmi tjetër që me licencën ekzistuese mund të bëjë trajtimin e materialeve të përshkruara në dosjen e tenderit, në përputhje me Ligjin për Mbeturina”.
Megjithatë në dosjen e tenderit nuk është kërkuar një gjë e tillë. Aty kërkohet vetëm licenca e vlefshme për administrimin e mbeturinave të lëshuar nga institucionet e akredituara/autorizuara për të lëshuar leje të tillë.
E pakënaqur me vendimin e Telekomit, kompania “G-Plus” më 15 nëntor ka bërë ankesë tek autoriteti kontraktues, duke thënë se arsyetimi “se nuk disponon licencë të vlefshme për administrimin e mbeturinave të lëshuar nga institucionet e akredituara për të lëshuar leje të tilla” nuk qëndron.
Kjo pasi, siç ka thënë kompania, ajo posedon licencën e lëshuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit si autoritet i akredituar për licenca dhe leje të tilla. Ndërsa licenca për trajtimin e materialeve nuk është kërkuar në dosjen e tenderit.
Në ankesën të cilën e posedon KOHA thuhet se autoriteti kontraktues ka shkelur nenin 35.10 të udhëzuesit të prokurimit publik, ku thuhet se “tenderuesi nuk do të diskualifikohet ose përjashtohet nga procedura e prokurimit në bazë të ndonjë kërkese apo kriteri që nuk është specifikuar në njoftimin e kontratës/dosjen e tenderit”.
Në ankesë thuhet se Autoriteti kontraktues ka shkelur edhe nenin 35.11 të po këtij udhëzuesi, pasi aty thuhet se “AK do t’i vlerësojë dhe krahasojë tenderët e përgjegjshëm sipas kritereve për dhënien e kontratës të përcaktuara në njoftimin e kontratës/dosjen e tenderit”.
Por kjo ankesë është hedhur poshtë nga shefi i Prokurimit Publik, Fatmir Gjonbalaj. Në vendimin e marrë vetëm dy ditë pas marrjes së ankesës thuhet se ankesa është e pabazuar.
Në arsyetim thuhet se “licenca e kompanisë nuk përfshin mbledhjen, grumbullimin, magazinimin dhe trajtimin fizik të shumë mbeturinave të tjera që kanë qenë pjesë e shitjes, siç mund të jenë bateri të ndryshme, akumulatorë, pajisje elektronike, kabina telefonike, antena, kabllo etj.”.
Nga “G-Plus”, sipas vendimit, është kërkuar që të tregojë nëse posedon licencë tjetër që dëshmon se mund të administrojë me mbeturina të tjera, përveç atyre që janë cekur në licencë. Kjo kërkesë, sipas shefit të prokurimit, është bërë bazuar në Ligjin për Mbeturina, gjegjësisht nenin 55 të Ligjit që trajton licencimin për menaxhimin e mbeturinave, dhe nenet 70-71 që trajtojnë “dispozitat ndëshkuese”.
Por këto kërkesa nuk kanë qenë të parapara në dosjen e tenderit.
Kompania në fjalë ka thënë se i është drejtuar edhe Organit Shqyrtues të Prokurimit për të shqyrtuar këtë lëndë.
Materialet teknike të Telekomit ndodhen në depon në Shkabaj, në Mitrovicë, Gjilan, Fushë-Kosovë, Prizren dhe Gjakovë.