Të hënën e kaluar, aksionet në tregje shënuan rritje, pasi gjiganti farmaceutik Pfizer njoftoi se, pas shumë eksperimentimeve, vaksina e tij kundër Covid-19 ishte efikase 90%.
Aksionet u rritën sërish të premten. Indeksi i S&P 500 u rrit me 2.2% në një javë që arriti rekordin historik të premten, ndërsa Dow Jones Industrial Average e mbylli javën me rritje të aksioneve me 4,1%.
Megjithatë, jo të gjitha kompanitë, kanë përfituar nga lajmi. Aksionet e shoqërive që lulëzuan më shumë gjatë pandemisë, ndër të cilat Facebook, Amazon dhe Zoom, në ato ditë, ranë. Eric Yuan, themelues dhe CEO i Zoom Video Communications, humbi javën e kaluar 4,2 miliardë dollar, ose 19% të pasurisë.
Para njoftimit të Pfizer, rritja e Yuan kishte qenë thuajse e pandalshme, pasi Zoom ishte bërë në të vërtetë platforma e takimeve gjatë pandemisë. Kur u shfaq në klasifikimin e miliarderëve të Forbes në prill, pasuria e tij ishte 5,5 miliardë dollarë. Në korrik, pasuria e tij ishte rritur në 11 miliardë. Pas tre muajsh, pasuria u dyfishua sërish, në 22 miliardë dollarë.
Tani, pasi njoftimi i Pfizer u hap rrugën rikthimit në zyrë dhe takimeve sociale, aksionet e Zoom ranë me 25% nga e premtja 6 nëntor deri të martën, më 10 nëntor. Aksionet rifituan disi terren gjatë javës dhe i zvogëluan humbjet në 19%.
Ndërkohë, aksionet e Amazon ranë me 5,5% gjatë javës, duke e zvogëluar pasurinë e Jeff Bezos me 9,8 miliardë dhe me 3,4 miliardë dollarë, pasurinë e ish-gruas, MacKenzie Scott. Për fatin e tij të mirë, një javë më parë, Bezos shiti në kohë, 3 miliardë aksione, kur kuotimi i Amazon arriti kulmin pas zgjedhjeve presidenciale amerikane. Forbes vlerëson që, duke llogaritur taksat, fitimi i tij ishte 2,3 miliardë dollarë.
Javën e kaluar, edhe themeluesi dhe CEO i Facebook, Mark Zuckerberg, shiti aksione në vlerë 17.8 milionë, një lëvizje e pazakontë për të. Këtë javë, kuotimi i shoqërisë ka rënë me 5,6% pas lajmit të vaksinës. Në fillim të pandemisë, numri i përdoruesve aktivë në Facebook u rrit. Pasuria e Zuckerberg sot vlerësohet në 101,7 miliardë, 6 miliardë më pak në harkun e një jave.
Njoftimi i Pfizer ndikoi gjithashtu edhe në tregjet jashtë SHBA. Jiang Rensheng, i cili drejton kompaninë kineze të prodhimit të vaksinave Chongqing Zfsw Biological Products (e njohur si Zhifei), humbi 2.4 miliardë dollarë javën e kaluar. Nga ana tjetër, Zhifei po zhvillon një vaksinë kundër Covid-19, e cila do të fillojë fazën e tretë të provës në Uzbekistan. Që nga marsi, pasuria e Jiang është më shumë se dyfishuar dhe sot vlerësohet në 18.2 miliardë dollarë.
Miliarderët që humbën më shumë para javën e kaluar
• Jeff Bezos (Amazon) -9,8 miliardë
• Mark Zuckerberg (Facebook) -6 miliardë
• Eric Yuan (Zoom) -4,2 miliardë
• Jack Ma (Alibaba) -4,1 miliardë
• Elon Musk (Tesla) -4 miliardë
• MacKenzie Scott (Amazon) -3,4 miliardë
• Jiang Rensheng (vaksina) -2,4 miliardë
• Kim Jung-Ju (lojëra online) -2,2 miliardë
• Steve Ballmer (Microsoft) -2 miliardë
• Suleiman Kerimov (investime) -1,8 miliardë
Burimi: Forbes