Kryeshefi i ndërmarrjes “Trepça”, Hysen Vrajolli, ka thënë se gjendja në këtë ndërmarrje nuk është e mirë dhe ka kërkuar ndihmë nga qeveria. Ai ka treguar se kjo ndërmarrje ka rreth 8 milionë euro borxhe ndaj KEDS-it, ATK-së dhe furnitorëve.
“Xhirollogaritë u bllokuan pasi kemi trashëguar një borxh prej 8 milionë eurosh dhe kjo çështje më pas shkoi te përmbaruesit. Këto borxhe janë ndaj KEDS-it 1.6 milion euro, kurse Administratës Tatimore të Kosovës i kemi borxh 4 milionë euro, pjesën tjetër ua kemi furnitorëve”, ka thënë Vrajolli.
Vrajolli, ka thënë se në këtë ndërmarrje gjendja nuk është e mirë për shkak të gjendjes së pandemisë Covid-19 dhe rënies së çmimeve në bursat ndërkombëtare. “Gjendja nuk është e mirë pasi, për shkak të pandemisë, çmimet kanë rënë shumë në bursat ndërkombëtare. Prandaj këtë vit do ta mbyllim jo mirë sa iu përket shitjeve të koncentrateve të ‘Trepçës’”, ka thënë Vrajolli për gazetën “Epoka e re”. Ai ka folur edhe për bllokimin e xhirollogarisë dhe për borxhet që ka ndërmarrja “Trepça” ndaj KEDS-it, ATK-së dhe furnitorëve.
Ai ka bërë me dije se ky borxh kap shifrën e rreth 8 milionë euro. “Xhirollogaritë u bllokuan pasi kemi trashëguar një borxh prej 8 milionë eurosh dhe kjo çështje më pas shkoi te përmbaruesit. Këto borxhe janë: ndaj KEDS-it 1.6 milion euro, Administratës Tatimore të Kosovës i kemi borxh 4 milionë euro, pjesën tjetër ua kemi furnitorëve”, ka thënë Vrajolli. Sipas tij, alternativë për të dalë nga kjo gjendje është shitja e prodhimit të “Trepçës”, subvencionimi ose kreditimi për këtë ndërmarrje.
Vrajolli ka thënë se janë kontraktuar dy kompani të huaja për shitjen e koncentratit të “Trepçës”, megjithëkëtë, sipas tij, nuk është e mjaftueshme për t’i mbuluar pagat e punëtorëve dhe shpenzimet. “Ne kemi dy alternativa për zhbllokim të xhirollogarive. E para nga prodhimi ynë, mirëpo çështja është nëse do të mund t’i mbulojmë pagat dhe shpenzimet. Mënyra e dytë është nëse marrim subvencionim nga qeveria ose ndonjë kreditim prej 5 milionë eurosh. Koncentratin e kemi shitur, tash mbetet vetëm liferimi dhe pritet të zhbllokohen xhirollogaritë. Pavarësisht kësaj, sërish ne nuk mund t’i sigurojmë mjetet për paga. Në pjesën jugore i kemi 1 370 punëtorë. Kemi gjetur kontraktime dhe i kemi shitur te një kompani angleze dhe një bullgare”, u shpreh ai.
Vrajolli në këtë bisedë ka folur edhe për premtimet e qeverisë rreth gjendjes për këtë ndërmarrje. “Ne kishim takim virtual me kryeministrin e Kosovë dhe ministrin Kuçi dhe na kanë premtuar se do të gjendet një zgjidhje për të dalë nga kjo bllokadë”, u shpreh ai. Vrajolli ka theksuar se gjendja në pjesën veriore të ndërmarrjes “Trepça” është shumë e mirë për shkak se ajo pjesë ka trashëguar një gjendje të mirë dhe nuk ka pasur ndërprerje të punës asnjë vit për dallim nga pjesa jugore që për shkaqe politike kishte pushuar rreth dhjetë vjet. “Raportet me pjesën veriore janë në nivel profesional. Ata bashkëpunojnë me ne pasi asnjë subvencion nuk mund ta marrin pa kaluar përmes nesh, pra janë të obliguar që të raportojnë te ne. Gjendja në pjesën veriore është shumë më e mirë se te ne për shkak të gjendjes politike për dhjetë vjet. Minierat tona janë shumë më të mëdha dhe kërkojnë më shumë investime. Po ashtu, kemi punëtorë më shumë. Kurse në pjesën veriore ‘Trepça’ ka pasur një gjendje të trashëguar shumë më të mirë dhe ka punuar edhe në kohën kur ne nuk kemi punuar”, ka thënë kryeshefi i ndërmarrjes “Trepçës”, Hysen Vrajolli.