Dhoma e Përfaqësuesve miraton pagesat 2000 dollarëshe për amerikanët

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan votoi me 275 vota pro dhe 134 kundër për të përmbushur kërkesën e presidentit Trump për t’u dërguar amerikanëve pagesa prej 2000 dollarësh në përgjigje të krizës së shkaktuar nga koronavirusi. Vota e së hënës ka tani një të ardhme të paqartë në Senatin e kontrolluar nga republikanët.

Presidenti Trump kërcënoi javën e kaluar se do të bllokonte paketën masive të ndihmave në përgjigje të pandemisë, nëse Kongresi nuk rriste pagesat e ndihmave nga 600 në 2000 dollarë dhe nuk shkurtonte shpenzime të tjera. Ai u tërhoq nga kërkesat e tij të dielën ndërkohë që po afrohej një mbyllje e mundshme e qeverisë federale në mungesë të fondeve.

Reklama e sponzorizuar

Ligjvënësit demokratë kanë këmbëngulur prej kohësh për pagesat prej 2000 dollarësh dhe kanë shfrytëzuar këtë moment të rrallë mirëkuptimi me presindetin për të arritur kërkesën e tyre, ose për të detyruar republikanët të shprehen zyrtarisht kundër këtij propozimi në votën e së hënës.

130 republikanë, dy ligjvënës të pavarur dhe dy demokratë dolën kundër këtij propozimi në votën e së hënës.

Presidenti e nënshkroi paketën prej 2.3 trilionë dollarësh, ndërkohë që vazhdoi të këmbëngulte për pagesat prej 2000 dollarësh.

Projektligji i firmosur nga presidenti përmban 1.4 trilionë dollarë për shpenzimet qeveritare dhe 892 miliardë dollarë për ndihma për pandeminë.