Drejtori i Thesarit në vend, Ahmet Ismaili, ka deklaruar se 600 milionë euro është shuma e kredive të ratifikuara dhe të padisbursuara, të cilat ndoshta nuk kanë hyrë të gjitha në fuqi derisa duhet të përfundohen disa procedura paraprake.
Ai në Raport të KTV-së ka deklaruar se deri kur nuk hyjnë në fuqi, gjatë kësaj periudhe nuk paguhet tarifë apo ndonjë lloj interesi mirëpo një pjesë e kredive kanë filluar procedurën e pagesës.
“Projektet janë shumëvjeçare dhe disbursimi i mjeteve bëhet në faza. Ne nuk i pranojmë këto mjete në llogari, këto janë të zotuara për neve dhe disbursohen për Kosovën vetëm kur të plotësohen kushtet për to dhe zakonisht janë disbursime direkte ku banka paguan punëkryesin e zgjedhur sipas procedurave ku banka ka qenë dakord”, ka deklaruar Ismaili.
Ismaili ka potencuar se shumica e kredive kanë një kërkesë të caktuar sipas kërkesës së Qeverisë dhe të cilat janë përfshirë në marrëveshje dhe janë ratifikuar në Kuvend.
“Për shumicën e kredive, Kosova nuk mund njëanshëm t’i devijojë këto dhe t’i përdorë për qëllime të tjera përveç nëse dakordohemi. Diçka të tillë ne kemi bërë gjatë pandemisë. Së paku dy apo tri kredi që kanë qenë në procedurë apo të ratifikuara, ne kemi arritur që të rishikohen ose të kthehen për destinim sa i përket Covid-19”, ka thënë ai tutje.