Kompanitë fillojnë të përfitojnë, ofrojnë mbushjen e aplikacionit për Trust me para

Të premten do të hapet web faqja e Trustit përmes së cilës qytetarët do të aplikojnë për të marrë 10 përqindëshin e kursimeve të tyre pensionale. Ani pse procedurat për aplikim janë të thjeshta, tashmë një kompani ka nisur të ofrojë shërbime me pagesë, për personat që nuk dinë apo nuk mund të aplikojnë vetë, shkruan Gazeta Express

Tërheqja e 10 përqindëshit të kursimeve pensionale nga Trusti ka nisur të shërbejë edhe si mënyrë e përfitimit për një kompani në Kosovë.

Përmes rrjeteve sociale, kjo kompani ka njoftuar se bën plotësimin e formularit për tërheqje të 10 përqindëshit të Trustit.

Reklama e sponzorizuar

“Bëjmë plotësimin e formularit për tërheqje të 10% të Trustit. Pagesa për person 5€”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Ndërkohë, Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka njoftuar se web faqja për aplikim për tërheqje të 10 përqindëshit nga Trusti, do të hapet të premten në orën 15:00.