Ndahen nga 300 euro për mbi 6 mijë policë

Qeveria e Kosovës ka ndarë një milion e 598 mijë euro për 6 mijë e 124 policë për periudhën tremujore, tetor, nëntor, dhjetor, për angazhimin e shtuar në kohën e pandemisë.

Sipas njoftimit të Qeverisë, në mbledhjen e 52-të, është vendosur që këta policë të paguhen nga 100 euro në muaj, apo 300 euro në total për këtë tremujor.

Pagesat për të tre muajt do të bëhen me pagën e muajit dhjetor 2020, ka njoftuar Qeveria.

Reklama e sponzorizuar

Në mbledhje po ashtu është vendosur që mjetet e ndara për ndërtimin e objektit të ri të administratës së Komunës së Lipjanit, 543 mijë euro, të kthehen në buxhetin e Ministrisë së Pushtetit Lokal. Këto mjete, sipas vendimit, transferohen në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe në ministrinë e Mjedisit.

Është vendosur po ashtu që Hykmete Bajrami, nga Ministria e Financave, si anëtare e Bordit Drejtues të Fondit për Sigurime Shëndetësore, të zëvendësohet nga Ermal Lubishtani.

Kabineti ka vendosur po ashtu që të aprovojë Vlerësimin e Rrezikut Kombëtar të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit në Kosovë. “Vendimi obligon Ministrinë e Financave që të publikojë dhe shpërndajë vlerësimin e rrezikut kombëtar të pastrimit dhe financimit të terrorizmit në Kosovë. Në rast mospublikimi, Ministria e Financave obligohet të publikojë përmbledhje të vlerësimit dhe listën e masave të nevojshme që duhet të ndërmerren”, thuhet në njoftim.

“Qeveria gjithashtu ka shqyrtuar Planin e veprimit të rekomanduar për përmirësimin e sistemit të Luftimit të Pastrimit të Parave/Luftimin e Financimit të Terrorizmit. Me këtë vendim, i cili ka dalë nga rekomandimet për përmirësimin e sistemit të luftimit të pastrimit të parave/luftimi i financimit të terrorizmit, njësia për Inteligjencë Financiare e Republikës së Kosovës është caktuar të bëjë monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të Raportit të vlerësimit për të mundësuar rishikimin e efektivitetit të sistemit kombëtar në përputhje me rrethanat sipas Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit”, thuhet më tej në njoftim.

Po ashtu është vendosur që 21.5 milionë euro nga fondet e huamarrjes nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim, të ndara për Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike të transferohen te Fondi Kosovar për Garanci Kreditore.

Është aprovuar edhe kërkesa e MKRS-së për shpronësimin e 121 veprave të artit të autorëve bashkëkohorë, që ndodhen në objektin e Hotelit Grand. Veprat do të barten në Galerinë Kombëtare.

Është vendosur që në udhëzimin administrativ të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për kushtet teknike për import të Naftës të fshihet fjala “pastrim i rezervuarëve”, ndërsa është shfuqizuar pjesërisht udhëzimi i MTI-së për përcaktimin e kushteve dhe kritereve për subjektet që merren me tregtim duhani.

“Sipas vendimit të miratuar nga kabineti qeveritar është shfuqizuar neni 15 i Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë – Nr. 11/2020 për Përcaktimin e Kushteve dhe Kritereve për Subjektet që merren me Tregtimin e Duhanit dhe Produkteve të tij, si dhe neni 3 i Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë – Nr. 16/2020 për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë – Nr. 11/2020 për Përcaktimin e Kushteve dhe Kritereve për Subjektet që merren me Tregtimin e Duhanit dhe Produkteve të tij. Vendimi obligon Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që të ndryshojë dhe plotësojë Udhëzimet Administrative. Deri në nxjerrjen e Udhëzimit Administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ për Përcaktimin e Kushteve dhe Kritereve për Subjektet që merren me Tregtimin e Duhanit dhe Produkteve të tij, subjektet të cilat merren me tregtimin e duhanit janë të liruara nga pagesa e taksave për licencim”, thuhet në njoftim.

Qeveria ka proceduar në Kuvend emrat e kandidatëve për Bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Duhet të zgjidhen katër nga këta kandidatë:

  1. Festim Kutllovci
  2. Ibrahim Krasniqi
  3. Skender Sallahu
  4. Hasan Fejzullahu
  5. Muharrem Sejdiu
  6. Xhavit Rraci
  7. Basri Kokolli
  8. Sali Mulaj
  9. Burim Fetaj
  10. Ibush Luzha
  11. Bujar Hasimi
  12. Kreshnik Rugova


Kuvendit të Republikës së Kosovës i janë proceduar edhe kandidatët për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë:

  1. Vehbi Safiu
  2. Luan Morina
  3. Bekim Jakupi


105 mijë euro janë ndarë për dhjetë strehimore të licencuara që ofrojnë shërbime për mbrojtje të fëmijëve, strehim të viktimave të dhunës në familje dhe viktimave të trafikimit.