Rreth 2 mijë punëtorë në grevë, Qeveria nuk ua ka paguar shtesat

Rreth 2 000 punëtorë teknikë në spitalet dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare kanë hyrë në grevë, pas mosplotësimit të kërkesave për pagesat shtesë nga qeveria.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë se në të gjithë vendin, me përjashtim të QKUK-së, do të hyjnë në grevë.

“Në këtë grevë do të marrin pjesë të gjitha spitalet regjionale që kanë punëtorë të sektorit privat dhe ambulancat dhe qendrat e mjekësisë familjare”, ka thënë ai.
Kërkesës për grevë i janë përgjigjur edhe punëtorët e Qendrës Kryesore Familjare në Prishtinë. Ata kanë bojkotuar punën dhe janë mbledhur në korridorin e qendrës.
Adem Borovci, përfaqësues i punëtorëve të sigurimit që punojnë në të gjitha Qendrat e Mjekësore në Prishtinë, ka thënë se kërkesat e tyre duhet të zbatohen dhe se edhe ata e meritojnë të jenë pjesë e Pakos Emergjente.

Reklama e sponzorizuar

“Ne kemi dalë sot edhe një herë për të shprehur kërkesat tona duke shpresuar që këto kërkesa do të miratohen dhe do të zbatohen”, tha Borovci
Kumrije Shabani, përfaqësuese e punëtorëve të higjienës, u shpreh që greva nuk do të ndalet derisa kërkesat e tyre të realizohen.
“Greva nuk do të ndalet, ne do vazhdojmë deri sa kërkesa jonë të aprovohet dhe të kemi drejtat e barabarta”.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në orët e para të mëngjesit ka mbledhur në takim kreun e Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemin dhe u.d e drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqin, në zyrën e këtij të fundit. Takimi ka ndodhur pasi rreth 2 000 punëtorë teknikë në spitalet dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare kanë hyrë në grevë, pas mosplotësimit të kërkesave për pagesat shtesë nga Qeveria.

Përjashtim nga ta do të bëjnë punëtorët në QKUK, ngase të njëjtit nuk përfillën kërkesat e sindikatës, të cilët ndaluan punën për disa orë gjatë javës.
Nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat kanë bërë thirrje të mos u bëhet presion punëtorëve, pasi ligjërisht ata që e bëjnë këtë dënohen nga 500 deri në 5 mijë euro.