Sindikata e Punëtorëve i jep afat Qeverisë deri më 5 shkurt t’i ndalojë sulmet ndaj Telekomit

Sindikata e punëtorëve të PTK-së i ka dhenë afat Qeverisë në detyrë që deri më 5 shkurt t’i plotësojë kërkesat e tyre, në të kundërtën do të nisin me hapat sindikal.

Duke ju referuar vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, Sindikata thotë se e ka pranuar me shqetësim të madh, duke e quajtur këtë goditje të radhës nga institucionet e drejtësisë.

“FSP-PTK çdoherë ka bëre përpjekje përmes aktiviteteve të saj, të informojnë për dëmin e shkaktuar nga marrëveshja me Dardafon.net (ish z-Mobile) dhe jo vetëm! Aktivitetin tonë sindikal kemi shtrirë me denoncimet në krimet ekonomike, prokurori dhe në Gjykata për secilën kontratë që kemi dyshuar së është e dëmshme për Telekomin. Njëkohësisht, këto parregullsi, shkelje dhe kontrata/marrëveshje të bëra nga Bordet dhe Menaxhmentet, i kemi informuar përmes shkresave zyrtare dhe takimeve te shumta që kemi zhvilluar me të gjitha Qeveritë e Republikës së Kosovës, Grupet parlamentare, Arkep dhe të gjitha mekanizmat që kanë për detyrë dhe përgjegjësi mbikëqyrjen e Telekomit të Kosovës Sh.A”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tyre, iniciativat e marra nga Qeveria e Kosovës për siç e kanë quajtur ata “zhvillimin” e Telekomit, nuk kanë pasur rezultat.

“Rasti i fundit është ‘pranimi’ i borxhit ndaj kompanisë Dardafon.net (ish Z-Mobile) nga Qeveria, ndërsa në anën tjetër nuk kanë marrë asnjë veprim të bëjnë padi për personat që kanë pas përgjegjësi në keq menaxhimet e buxhetit të Telekomit përmes kontratave/marrëveshjeve të dëmshme. FSP-PTK mbrëmë ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm për gjendjen e krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Gjatë takimit kemi diskutuar hapat që do t’i ndërmarrim, karshi heshtjes së Qeverisë së Kosovës për dëmet që po i shkaktohen Telekomit çdo ditë”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas komunikatës për media, “FSP-PTK do t’i ndërmarrë të gjitha hapat sindikal në rast që Qeveria deri me datën 05.02.2021 nuk do të merr parasysh kërkesën e tyre: ndaljen e sulmeve prej të gjitha grupeve të interesit ndaj Telekomit dhe frikën që përjetojnë punëtoret për humbjen e vendeve të punës. Ne, së bashku me ju nuk do të dorëzohemi sepse është e vetmja formë që jep rezultat në mbrojtjen e kompanisë”.