ATK publikon versionin e ri të Sistemit Elektronik EDI, shtohet shërbimi “Kërkesë për Fiskalizim”

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka publikuar versionin e ri të Sistemit Elektronik EDI, duke funksionalizuar shërbimin e ri elektronik “Kërkesë për Fiskalizim”, i cili u mundëson tatimpaguesve të aplikojnë për pajisje me Kodin Unik për Fiskalizim.

Sipas njoftimit të ATK-së, shërbimi është zhvilluar në zbatim të Udhëzimit Administrativ (MF) Nr. 01/2026 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronik Fiskalë. Kodi Unik për Fiskalizim është parakusht për përdorimin e Softuerit Elektronik Fiskal (SEF).

Përmes këtij shërbimi mund të aplikojnë tatimpaguesit që do të fillojnë përdorimin e Softuerit Elektronik Fiskal (SEF), si dhe ata që janë në proces të kalimit nga Pajisjet Elektronike Fiskale (PEF) në SEF.

ATK ka bërë të ditur se shërbimi është i qasshëm në Sistemin Elektronik EDI, në menynë “Fiskalizimi”, përmes opsionit “Kërkesë për Fiskalizim”.

MË SHUMË:

67.1% më shumë denoncime: ATK intensifikon luftën kundër evazionit tatimor

Reklama e sponzorizuar

Tatimpaguesit që tashmë janë pajisur me Kodin Unik për Fiskalizim do ta kenë atë të shfaqur në sistem, ndërsa ata që ende nuk e posedojnë këtë kod mund të parashtrojnë kërkesën përmes shërbimit të ri elektronik.

Administrata Tatimore rikujton se pajisja me Kodin Unik për Fiskalizim është kusht i domosdoshëm për përdorimin e Softuerit Elektronik Fiskal dhe u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që planifikojnë të përdorin SEF, apo që janë në proces të kalimit nga PEF në SEF, të verifikojnë statusin e tyre në Sistemin Elektronik EDI dhe, nëse është e nevojshme, të aplikojnë përmes shërbimit të ri.