Pjesa më e madhe e sipërmarrjeve të reja drejtohen nga një person i vetëm, por shumë harrojnë të ndërtojnë një ekip për arritjen e suksesit afatgjatë. Sot duket se shumica prej sipërmarrësve e shohin veten si drejtuesi i vetëm i zgjidhjes së tyre të re dhe drejtuesi kryesor i biznesit të tyre. Kjo nuk është diçka e keqe në fillim, por ndërsa ngjiten shkallët, çdo biznes duhet të ndërtojë një ekip për të ndjekur gamën e gjerë të aftësive të nevojshme, për të luftuar konkurrentët e rinj dhe për t’iu përgjigjur ndryshimeve në treg.
Për shumë, është e vështirë të bëjnë kalimin nga kultura lart-poshtë, urdhëruese dhe është e vështirë të gjejnë kohën për të rekrutuar dhe trajnuar anëtarë të rinj, ekipi që u nevojiten për të çuar biznesin drejt suksesit.
Shumë biznese të reja dështojnë në këtë fazë sepse nuk ndërtojnë kulturën e duhur të ekipit për t’i mbajtur ata të angazhuar dhe të përkushtuar dhe themeluesit dështojnë, duke u përpjekur të bëjnë shumë.
Këto janë shtatë strategjitë kryesore të cilat rekomandohen për të ndërtuar rrugën drejt suksesit:
Pohojani vetes dhe të tjerëve që keni nevojë për ndihmë.
Mos lejoni që egoja dhe pasioni juaj t’ju ndalojë të ndërtoni një ekip rreth jush, të dëgjoni të tjerët me aftësi plotësuese dhe të delegoni vendime sa më poshtë të jetë e mundur. Ne të gjithë duhet të jemi të përulur dhe të pranojmë se ajo që dimë për teknologjinë dhe tregun ndryshon çdo ditë.
Identifikoni një qëllim biznesi dhe objektiva që motivojnë çdo ekip.
Ditët e sotme, ekipet moderne janë të motivuara nga një qëllim më i lartë, siç është përmirësimi i mjedisit ose ndihma e të varfërve, më shumë sesa paraja dhe fitimi. Ju duhet t’i bëni ata të ndjejnë një angazhim personal kundrejt shërbimit ndaj klientit, përmirësimit të cilësisë dhe ndryshimit për të përmirësuar të ardhmen.
Blake Mycoskie, themelues i “Toms Shoes”, i vendosi një qëllim vetes, të dhuronte një palë këpucë për nevojtarët për çdo palë të shitur dhe ruante angazhimin e ekipit duke siguruar udhëtime ndërkombëtare për të ndihmuar partnerët në shpërndarjen e këpucëve në vende interesante, përfshirë Nepalin dhe Hondurasin.
Inkurajoni ekipin tuaj të marrë vendime dhe të veprojë.
Shumë ekipe janë të zhgënjyer nga debate pa mbarim dhe kërkesa të vazhdueshme për më shumë analiza nga menaxherët. Kënaqësia dhe angazhimi vijnë nga zgjedhja e një rruge për të ecur përpara, vlerësimi i rezultateve dhe reagimet e klientëve dhe të mësuarit nga të gjitha përpjekjet e tyre më të mira.
Krijoni ekipe të vogla, të larmishme dhe bashkëpunuese.
Ekipet me më shumë se tetë ose nëntë persona shpesh përfshihen në politika të brendshme dhe kanë probleme në ndarjen e të dhënave në mënyrë efektive ose në arritjen e konsensusit. Të gjithë njerëzit duhet t’i besojnë njëri-tjetrit dhe të jenë në gjendje të njohin vlerën e perspektivave të ndryshme. Shmangni projektet e gjata dhe pa mbarim.
Për shembull, Jeff Bezos tek Amazon është i njohur për rregullin e tij me dy pica: Asnjë takim ose ekip nuk duhet të jetë aq i madh sa që dy pica të mos munden të ushqejnë të gjithë grupin. Ai është i bindur se kjo siguron produktivitet maksimal dhe se idetë e askujt nuk mbyten ose injorohen.
Praktikoni dëgjimin aktiv dhe komunikimin e hapur në ekip.
Ndërsa madhësia dhe numri i antarëve të ekipit tuaj rritet, sasia e kohës që kaloni duke dëgjuar dhe duke komunikuar gjithashtu duhet të rritet. Rezistoni ndaj dëshirës për të kufizuar atë që ekipi duhet të dijë, ndërprisni mesazhet negative, ose kalimin e shpejt teksa jeni duke dëgjuar një zgjidhje. Nxitni ndarjen e ideve dhe reagimet.
Nxitni një kulturë të të mësuarit të vazhdueshëm, madje edhe nga dështimet.
Shumë drejtues të rinj të biznesit mezi presin të zbatojnë proceset fikse të ekipit për të përmirësuar produktivitetin dhe për të minimizuar rrezikun. Megjithëse produktiviteti është i rëndësishëm, rreziku më i madh është të mos mësosh nga klientët dhe tregu dhe të mbetesh prapa. Ofroni shpërblime për ide të reja, eksperimente dhe reagime kritike të ekipit.
Bëhuni modeli i përqendrimit të klientit për ekipin
Shumë udhëheqës të biznesit largohen gjithnjë e më shumë nga klienti teksa ngjisin shkallët e tyre të biznesit. Sigurohuni që të ndani kohë për vizita të rregullta të klientëve dhe sigurohuni që ekipi juaj e kupton që ofrimi i vlerës tek më shumë klientë është përkufizimi juaj për rritjen e biznesit.
Teksa biznesi juaj rritet nga një startup në një biznes të qëndrueshëm edhe ju duhet të rriteni nga një sipërmarrës në një udhëheqës biznesi. Sigurisht, nëse interesat dhe pasioni juaj nuk anojnë në këtë drejtim, ju gjithmonë mund të kontraktoni një CEO të jashtëm që tashmë i ka aftësitë, ose mund të bashkoni apo shisni startup-in tuaj në një ndërmarrje tjetër dhe të filloni një sipërmarrje të re.
Vetëm kini parasysh se krijimi i një kulture dhe ekipi fitues nuk do të ndodhë automatikisht. Lipset njohja e nevojave dhe përpjekjeve nga ana juaj. Hidhini një vështrim të thellë situatës suaj, ju mund të jeni një pjesë kryesore e problemit ose drejtues i zgjidhjes tjetër të suksesshme.