Pse trajtimi i punonjësve tuaj si familje është vendimi më i mirë i biznesit që mund të merrni?

Studimet e fundit tregojnë një tablo shqetësuese të mjedisit modern të punës.

Një raport i fundit i State of the Global Workforce i Gallup zbuloi një shifër të frikshme se 77% e punonjësve në botë nuk angazhohen në punën e tyre.

Ky mosangazhim, së bashku me rritjen e shkallës së burnout, ka sjellë rritje të turnover*, prej të cilit kompanitë humbasin talente të çmuara, duke u rritur ndjeshëm kostot për rekrutimin dhe trajnimin. Në këtë peizazh të zymtë, ka një dritë shprese: Qëllimi.

Reklama e sponzorizuar

Shumë sipërmarrje të vogla dhe biznese në pronësi familjare e kanë kuptuar prej kohësh vlerën e trajtimit të punonjësve si diçka më shumë se sa ingranazhe të thjeshta të një makine.

Ato u japin përparësi mirëqenies, rritjes dhe aspiratave të punonjësve, duke promovuar një ndjenjë përkatësie dhe qëllimi.

Rezultatet? Reduktimi i turnover, rritja e produktivitetit dhe më shumë angazhim të fuqisë punëtore.

Për fatin tonë të mirë, magjia e sipërmarrjeve të vogla mund të zbatohet kudo. Bëhet fjalë për një ndërthurje të ndjeshmërisë, autenticitetit dhe angazhimit që çdo CEO mund ta ndjekë.

 

Fillojeni duke i bërë punonjësit zemrën e kompanisë

Klienti mund të ketë gjithnjë të drejtë, por punonjësit janë baza e kompanisë suaj.

Roli i punonjësve dhe rëndësia për t’i trajtuar me respekt, dinjitet dhe vëmendje shpesh humbasin kur kompanitë rriten, por kjo nuk e zvogëlon nevojën për të promovuar një kulturë ku çdo punonjës të ndihet i vlerësuar dhe i përfshirë.

Studimet e fundit e theksojnë këtë gjë.

Për shembull, një raport i Harvard Business Review theksoi se punonjësit që ndiejnë një ndjenjë përkatësie dhe një qëllim në punë priren më shumë të japin potencialin e tyre të plotë inovativ.

Ndjenja e përkatësisë dhe vlerësimi nuk lidhet vetëm me moralin, por ka ndikim të drejtpërdrejtë te rezultatet. Siç shpjegon një studim i McKinsey mbi qëllimin, kompanitë të cilat u japin përparësi mirëqenies dhe qëllimit të punonjësve lënë pas të tjerat në gjithë kategoritë e rëndësishme.

Të bësh mirë është gjithnjë në të mirë të biznesit

Të gjitha kompanitë e dinë se çfarë bëjnë – nëse janë duke shitur produkte, duke ofruar shërbime ose duke qenë katalizatorë inovacioni në shërbim të të tjerëve.

Por magjia e vërtetë ndodh kur kompanitë arrijnë të ndërthurin këtë “çfarë” me “përse”. Pse kompania ekziston përtej thjesht fitimit? Për cilin qëllim më të madh apo përfitim social po përpiqet?

Këto janë pyetje për të cilat çdo punonjës duhet të ketë një përgjigje nëse dëshironi të ketë një ndjenjë qëllimi dhe përkatësie, që shkon përtej marrjes së pagës.

Për shembull, një kompani që merret me energji të rinovueshme nuk shet vetëm panele diellore, por ndihmon për ta bërë planetin më të gjelbër dhe të luftojë ndryshimet klimatike.

Kur punonjësit shohin ndikim të drejtpërdrejtë të punës së tyre, ndiejnë një lidhje dhe angazhim më të thellë, si ndaj punëdhënësve, edhe ndaj përfitimeve të punës së tyre.

Nuk bëhet fjalë vetëm për të përfunduar detyrat që ju janë ngarkuar, por të jeni pjesë e një misioni më të gjerë.

Duke ndihmuar punonjësit të gjejnë qëllimin e tyre brenda objektivave të përgjithshme të kompanisë, sipërmarrjet mund të promovojnë një ndjenjë krenarie dhe qëllimi, duke korrur të gjitha përfitimet që vijnë.

Jepuni punonjësve mundësinë për të ndihmuar komunitetet

Zgjerimi i ndjenjës së përkatësisë në komunitet mund të ndryshojë shumë gjëra, si për moralin e punonjësve, edhe për reputacionin e kompanisë.

Kur punonjësit kanë mundësi të bëjnë mirë, jo vetëm forcohet lidhja e tyre me kompaninë, por thellojnë edhe lidhjet me komunitetin të cilit i shërbejnë.

Është e rëndësishme të kini parasysh se, që këto nisma të funksionojnë, duhet të lindin nga një shqetësim aktual.

Konsumatorët dhe punonjësit modernë janë kërkues dhe mund të dallohen lehtësisht midis përpjekjeve të sinqerta dhe gjesteve simbolike.

Kompani si Patagonia, me angazhimin e tyre ndaj çështjeve mjedisore, ose TOMS, me modelin e tyre të investimeve bazë, kanë treguar se kur përpjekjet e komunitetit dhe bamirësisë janë të sinqerta, bëjnë jehonë, duke krijuar klientë besnikë dhe punonjës të angazhuar.

Fuqia e qëllimit në vendin e punës është e pamohueshme. Duke promovuar një ndjenjë përkatësie brenda kompanisë dhe duke u dhënë mundësinë punonjësve të bëjnë ndryshimin në komunitetin e tyre, përfitimet e trajtimit të punonjësve si një familje janë të mëdha.

CEO-t dhe liderët që e njohin këtë aspekt dhe veprojnë, jo vetëm që po i përgatisin kompanitë e tyre për të arritur sukses, por po bëjnë edhe një ndryshim domethënës në botë.

Forbes

*numri i punonjësve që janë larguar në raport me numrin e punonjësve në fillim të vitit plus atij në fund të vitit