Një bletari që po përpiqet të sjellë 15 milionë bletë në Britani të Madhe i është thënë se ato mund t’i konfiskohen dhe t’i digjen për shkak të ligjeve pas periudhës së Brexit-it.
Patrick Murfet dëshiron të importojë bletë të reja nga Italia për biznesin e tij në Kent dhe t’u ndihmojë bletarëve që ta shtojnë numrin e insekteve të dobishme.
Megjithatë, ligjet e reja që hynë në fuqi pas largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe pas largimit nga tregu i përbashkët nënkuptojnë se importimi i bletëve është i ndaluar, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.
Që nga përfundimi i periudhës kalimtare për largimin e vendit nga BE-ja, në Britani lejohet vetëm importimi i bletëve mbretëresha por jo i kolonive…
Bletari Murfet, që e ka ushtruar këtë profesion për 20 vjet, tashmë e ka paguar depozitën prej 20.000 funtesh për bletët e reja dhe mund të humbë 100.000 funte, nëse nuk arrin t’i sjellë bletët në vendlindje.
Duke u përpjekur që t’i shmanget ndalimit të importimit, Murfet u përpoq në prill që t’i importojë bletët përmes Irlandës Veriore, por thotë se është paralajmëruar që bletët mund t’i asgjësohen, nëse bën përpjekje të tillë.
Ai pretendon se i është dërguar një mesazh në postën elektronike, në të cilin thuhet: “Importet ilegale do të kthehen prapa ose do të shkatërrohen dhe masat e zbatimit të ligjit (akuzat kriminale) do të përdoren kundër importuesit”.