Nis fizibiliteti që e bën Serbinë hisedare në Ujman

Autoritetet e Kosovës janë përfshirë në nismën që synon ta bëjë Serbinë hisedare në liqenin e Ujmanit. Një grup pune, i themeluar nga kryeministri Avdullah Hoti, ka grumbulluar shumë të dhëna dhe ka zhvilluar edhe komunikime me Departamentin për Energji të Shteteve të Bashkuara, në funksion të studimit të fizibilitetit, proces që për synim ka shfrytëzimin e përbashkët të liqenit nga Kosova dhe Serbia.

Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, ministri i së cilës e drejton Grupin, kanë ofruar vetëm të dhëna përgjithësuese për procesin.

“Grupi ka adresuar kërkesa të një pyetësori, i cili është dërguar nga Departamenti Amerikan për Energji. Grupi Punues gjatë takimeve të mbajtura ka trajtuar kërkesat të cilat janë adresuar rreth fizibilitetit të Liqenit të Ujmanit, kërkesa të karakterit teknik”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Ministrisë. “Grupi punues, ka mbledhur të gjitha të dhënat e nevojshme nga institucionet kompetente të cilat janë edhe anëtare të grupit. Natyrisht, jemi në kontakt të vazhdueshëm me Departamentin për Energji (DoE), në SHBA”.

Reklama e sponzorizuar

Në shtatorin e vjetëm, kryeministri Hoti kishte firmosur në Shtëpinë e Bardhë një listë zotimesh, përfshirë atë për studimin e fizibilitetit që i referohet shfrytëzimit të përbashkët të liqenit. Ky zotim ka marrë kritika të mëdha në Prishtinë, shkaku që e bën hisedar në Ujman shtetin serb.

Avdi Gjonbalaj është ekspert i ujërave dhe ka qenë i përfshirë në projektin për ndërtimin dhe pranimin teknik të liqenit që ndodhet në veriun e vendit. Ai thotë se ndërtimi ishte bërë ekskluzivisht për t’i plotësuar nevojat e Kosovës.

“Liqeni i Ujmanit, në të vërtetë sistemi i Ibrit, është ndërtuar dhe është planifikuar për t’i plotësuar nevojat e Kosovës për ujë: për industri, për popullatë dhe për ujitje”, thotë Gjonbalaj. “Ndërsa, për Serbi nuk është paraparë fare. Plani i Serbisë, të cilin e ka aprovuar në vitin 2002, është faqja 303 nëse dikush ka shanse ta lexojë, e që nuk pres ta lexojë, as që e parasheh Serbia përdorimin e ujit nga Liqeni i Ujmanit”.

Ai druan se fizibiliteti mund t’i paraprijë procesit të ndarjes së vendit.

“Ky proces, vetëm nëse është paralajmërim i ndarjes, pjesës veriore të Kosovës, përndryshe nuk ka fare kuptim, sepse Serbia prej Ujmanit e deri në Kralevë nuk ka konsumatorë që nuk mund t’ia plotësojë nevojat me ujëra të veta”, thotë Gjonbalaj. “Pra, vetëm nëse do që të përfitojë ekonomikisht. T’ia shesë ujin Kosovës, për nevoja të tjera dhe për ta ndarë energjinë”.

Ujmani është liqen artificial dhe përbën ujëmbledhësin më të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës. Penda e tij është ndërtuar midis viteve 1970 – 1984. Ka një Hidrocentral që prodhon 35 megavatë për orë energji elektrike, si dhe kanalin e gjatë Ibër-Lepenc.

Projekti është ndërtuar me kredi nga Banka Botërore, për të cilën ka garantuar shteti i ish-Jugosllavisë, ndërsa obligimin për pagesë e kishte marrë Kosova, e cila njëkohësisht kishte bërë edhe eksproprijimin e pronave.

Për eksproprijimin dhe gjithë aspektet e tjera që lidhen me liqenin, Gjonbalaj thotë të ketë dëshmi të bollshme. Ai thotë se krejt çfarë duhet bërë me Serbinë, është shënjimi i kufirit.

“Tash nuk mund të bëjnë asnjë llogari për përmirësim të diçkaje. Parametrat teknikë janë të definuar me projekt, janë të reviduar prej ekspertëve më eminentë të asaj kohe, elaborati dhe arsyeshmëria ekonomike është e vlerësuar nga ekspertëve më të mirë që i ka pasur Banka Botërore, dhe unë nuk shoh asnjë arsye që ata (Serbia v.j.) të jenë prezentë në liqenin e Ujmanit”, këmbëngul Gjonbalaj.

Në listën e zotimeve mbi të cilat Hoti kishte vënë firmën, në prezencën e tashmë ish-presidentit amerikan, Donald Trump, e shtata i referohej Ujmanit.

Që nga paslufta Ujmani është transformuar në ndërmarrje publike “Ibër-Lepenc”. E pas korporatizimit të saj më 1 janar 2008, është shndërruar në ndërmarrje hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, që për aksionar ka vetëm Qeverinë e Kosovës.

Me ujin e Ujmanit furnizohet sistemi Ibër-Lepenc për të ujitur rreth 8.500 hektarë tokë gjatë sezonit të ujitjes. Termocentralet e shfrytëzojnë atë për ftohje, sikur edhe kompania NewCo Feronikeli. Nga i njëjti liqen furnizohen me ujë të pijes edhe një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës.

Në Planin për zbatimin e zotimeve të Uashingtonit, që ishte miratuar më vonë nga Qeveria, është theksuar se Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, do të sigurojnë bashkëpunimin e nevojshëm për Departamentin e Energjisë në SHBA dhe njësive tjera të qeverisë së SHBA-së duke krijuar grupin punues për studimin e fizibilitetit, e duke u fokusuar në: Përcaktimin e alokimit teknik ekzistues të burimeve ujore të liqenit; Eksplorimin e mundësive, nëse ka, për të avancuar infrastrukturën e liqenit për të optimizuar furnizimin me ujë, për të mundësuar përdorimin për qëllime të tjera (p.sh. ujitje, ujë të pijshëm), si dhe; Sigurimin që secili rekomandim ose propozim në studim nuk duhet të rrezikojë shfrytëzimin ekzistues të ujit.