Hysen Sogojeva nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit në Kosovë ka paralajmëruar “masa drastike” nga kjo odë nëse Qeveria merr masa drastike me mbyllje të bizneseve për të luftuar koronavirusin.
Në emisionin SOT në KTV, Sogojeva ka thënë se kjo organizatë s’do të lejojë që të ketë mbyllje totale të bizneseve, duke parë se ishin vetë partitë ato që nuk i respektuan masat anti-COVID gjatë fushatës zgjedhore. Ai ka thënë se nuk e shohin të arsyeshme të respektojnë masat e qeverisë, nëse vetë ajo s’i ka respektuar.
“Veç fakti që kemi disa paralajmërime, jemi dakorduur si kryesi që në një farë forme, çfarëdo mase që merret ndaj lëtyre bizneseve, edhe ashtu të rënduara, s’do t’i përkrahim sepse në kohën kur është dashur t’i mbrojmë e kur ne kemi reaguar kundër fushatave të egra që s’i kanë përkrahë masat e vetë qeverisë, ne s’kemi arsye t’i njohim më këto masa”, ka thënë ai.
Ai ka porositur që çfarëdo mase që mendon të marrë pushteti duhet të konsultohet edhe me biznesin.
“Nëse merren masa drastike, edhe ne do të marrim masa drastike. S’përjashtojmë protesta”, ka paralajmëruar ai teksa ka shtuar se bizneset duhet të mbikëqyren e të dënohen nëse nuk i respektojnë masat, por të mos ketë mbyllje totale.
“Ne do t’i përkrahim masat që janë marrë. Por s’i përkrahim masat drastike. Nëse mbyll biznesin atëherë gjej alternativën si ta paguash e jo po e mbyll dhe nuk bën lehtësira”, ka shtuar Sogojeva teksa është ankuar se ndihma e shtetit për këtë sektor ka qenë minimale.
Ai ka thënë se nga 30 mijë punëtorët që punojnë në sektorin e hotelerisë, 60-70 për qind e tyre janë në rrezik të humbjes së vendit të punës pasi po aq është përqindja e bizneseve që rrezikojnë të falimentojnë në rast të mbylljeve të tjera.