Bursa e Energjisë në Shqipëri, hapet gara për përzgjedhjen e platformës elektronike të tregtimit

Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike (ALPEX) që ka paralajmëruar nisjen e funksionimit në tremujorin e tretë të këtij viti ka hapur së fundmi garën për përzgjedhjen e platformës elektronike të tregtimit. Kjo është një nga hallkat kyçe të procesit për krijimin e infrastrukturës së domosdoshme për regjistrimin e transaksioneve për tregun e ditës në avancë dhe asaj brenda ditës. Fondi limit për platformën është rreth 2 milionë euro.

“Ofruesit e Shërbimit duhet që shërbimet e tyre ndaj ALPEX ti bazojnë në përdorimin e sistemit të ankandit të tregtimit për ditën në avancë dhe algoritmin e përputhjes korresponduese bazuar në një konfigurim të pajtueshëm  të SDAC, pajtueshmëri me sistemin e tregtimit të vazhdueshëm brenda të njëjtës ditë SIDC/XBID dhe algoritmin e përputhjes korresponduese,  një sistem të rakordimit dhe likuidimit financiar, si dhe në një mjet të teknogjisë së informacionit në lidhje me menaxhimin e riskut për rakordimin dhe likuidimin financiar, si dhe gjithashtu ofrimin e  mbështetjes në lidhje me të dhënat e ndërfaqeve të kërkuara me TSO-të për të patur një zhvillim normal të operacioneve ditore të tregut të organizuar të ALPEX”  thuhet në dokumentet e tenderit.

Me qëllim plotësimin e objektivit të Bursës në dokumente specifikohet se, oferta duhet të përfshijë çmimin përmbledhës për sistemet e tregtimit të përmendura më poshtë, sistemin e rakordimit financiar dhe sistemet mbështetëse: a) Sistemi i ankandit të tregtimit për ditën në avancë dhe algoritmin e përputhjes korresponduese; b) Sistemi i tregtimit të vazhdueshëm brenda të njëjtës ditë dhe algoritmin e përputhjes korresponduese; c) Sistemi i rakordimit dhe likuidimit financiar; d)Sistemi i menaxhimit të riskut; e) Ndërfaqja me TSO-të në lidhje me nominimet

Reklama e sponzorizuar

ALPEX do të jetë pala qendrore për ofruesit dhe blerësit e energjisë në treg, duke kryer dhe funksionin e rakordim-faturimit dhe likuidimit financiar (clearing house) të të gjitha detyrimeve që do lindin nga ankandet e bursës së energjisë. Në rastin e Shqipërisë, një ndër mekanizmat financiarë që do të nxisë tregtimin në bursë, i përcaktuar qartë në modelin e tregut, është Kontrata për Diferencë (CfD), që do të përdoret si një masë e përkohshme, e cila do të lejojë lëvizjen e vëllimeve nga marrëveshjet dypalëshe kontraktuale në ALPEX, të cilat më tej do të jenë pjesë e tregut.

Aksionerët e ALPEX janë Operatorët e Sistemeve të Transmetimit të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët më 5 tetor 2020 nënshkruar edhe një marrëveshje.