Ndërsa turbinat e erës janë ndër burimet më të mira për të prodhuar energjinë nga burime të ripërtëritshme dhe pa ndikim në mjedis, instalimi dhe vendosja e tyre kërkon shumë punë dhe vendosje të strukturave të përhershme.
Por, duket se kjo do të mund të ndryshojë, pasi një kompani daneze ka sjellur në treg turbinën e re të quajtur ‘Wind Catcher’ (Kapësi i Erës), që është disejnuar të jetë mobile dhe lehtë e transportueshme nga njëri vend në tjetrin, varësisht nga nevoja.
Turbina e re me vetëm 10 kilogram peshë, mund të vendoset nga vetëm një person për 15 minuta
Kompania daneze KiteX që bën prodhimin e kësaj turbine ka treguar se pesha totale e saj është rreth 10 kilogram.
KiteX ka bërë të ditur se turbina e re mobile mund të vendoset nga vetëm një person brenda 15 minutave. Pajisja përbëhet nga shufra të lidhura me fibra qelqi, plastika e recikluar dhe stiropori EPS.
Pajisja mbështetet në tre tela të lidhur me rripa najloni për shtrëngimin e këmbëve / mbajtësve, që nguliten në tokë për të shtrënguar pozicionimin e turbinës.
Pasi të është vendosur plotësisht, turbina ka një diametër prej 4 metrave, ndërsa pika më e lartë arrinë deri në 6 metra lartësi.
Ndonëse është menduar që energjia e prodhuar nga turbina të shfrytëzohet menjëherë, turbina vjen edhe me një bateri të vogël që mundëson ruajtjen e sasive të energjisë së prodhuar për përdorim të mëvonshëm.
Ky model i turbinës mund të përdoret për lokacione që nuk kaknë qasje në rrjetin elektrik, në kampingje apo edhe në shtëpi për të mundësuar efiçiencë më të madhe të energjisë.
KiteX ka kërkuar nga gjithë blerësit dhe shfrytëzuesit e turbinës që të ndjekin informatat për parashikimet e motit, për të parandaluar dëmtimin e turbinave duke larguar ato në kushte të kqija atmosferike.
Turbina ‘Wind Catcher’ vjen në dy verzione: 200W dhe 600W
Për momentin, KiteX është duke ofruar dy verzione të turbinave ‘Wind Catcher’ në treg. Njëri version mund të prodhojë 200 vat energji elektrike atëherë kur shpejtësia e erës është 5.5 metra për second, ndërsa modeli tjetër prodhon 600 vat në shpejtësi të erës prej 7.5 metrash për sekond.
Ndërsa modeli i parë duket të jetë më i përshtatshëm për karikimin e pajisjeve më të vogla sikurse llaptopët, frigoriferët e vegjël dhe dritat, modeli i dytë mundëson edhe karikimin e bicikletave elektrike dhe mund të vëjë në lëvizje edhe pajisje të punëtorisë.
Për të gjithë të interesuarit, ‘Wind Catcher’ është aktualisht duke mbledhur fonde përmes platformës ‘Kickstarter’. Të gjithë të interesuarit mund të parapaguajnë vlerë prej 993.37 eurosh për modelin me 200 vat fuqi të instaluar, ndërsa për modelin prej 600 vatësh, të interesuarit mund të parapaguajnë 1,477.45 euro./kosovo.energy/