Ndërtimi i shëtitores në Pejë peng i pajtimit nga Patrikana

Shëtitorja e re, e ndërtuar përgjatë njërës anë të Lumëbardhit, prej mbi “Urës së Zallit” e deri afër Patrikanës, është bërë një nga vendet e preferuara për qytetarët e Pejës, veçanërisht pensionistët.

Mirëpo, ecja e tyre nëpër këtë shëtitore ndalet në afërsi të Patrikanës.

Për të vazhduar tutje me projektin e ndërtimit të mureve mbrojtëse të lumit dhe shëtitores, Komunës i duhet pajtimi i Patrikanës, për shkak se hyhet në zonën e saj të mbrojtur.

Reklama e sponzorizuar

E siç thotë kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxhiri, Komuna ka kërkuar nga Patrikana lejimin e realizimit të projektit, por pajtimin e saj ende nuk e ka.

“Faza tjetër që ka qenë, i është drejtuar me kërkesë me pa ata që me mbaru edhe një pjesë deri te Uji i Zi, shëtitoren anën përballë Patrikanës. Nuk kemi ende përgjigje prej tyre se a bënë me u bë ajo punë a jo”, ka thënë ai.

Për këtë projekt, KOHA ka tentuar të kontaktojë dikë në Patrikanë, por policët që ruajnë në hyrje të këtij objekti thanë se nuk lejohet hyrja e askujt shkaku i pandemisë.

KOHA ka tentuar ta kontaktojë edhe igumenin e Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, por ai nuk ishte i qasshëm.

E për pensionistët, që janë të shumtë përgjatë kësaj shëtitoreje, është e pakuptueshme nëse Patrikana e pengon këtë projekt.

Ndërtimi i mureve mbrojtëse ka të bëjë edhe me sigurinë e banorëve që jetojnë përgjatë lumit. Ashtu si kanë mbetur muret, cenojnë edhe sigurinë e banorëve aty afër.

Ata kërkojnë nga Komuna të përpiqet që ta bindë Patrikanën dhe të vazhdojë tutje ndërtimin e mureve mbrojtëse të lumit dhe shëtitores edhe deri “Te Sharra” mbi Patrikanë.