Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, tha se përkundër pandemisë që ka goditur shumë sektorë, Kosova ka treguar se ka qëndrueshmëri financiare.
Mehmeti ka deklaruar se sektorët financiarë në vend kanë pasur trend pozitiv dhe kjo është arritur falë një menaxhimi të mirë.
“Përkundër zhvillimeve jo të favorshme ekonomike të shkaktuara nga pandemia, sistemi financiar në Kosovë vazhdon të ketë qëndrueshmëri të lartë në të gjitha segmentet e saj. Nëse e shohim sektorin bankar si komponent kryesor të sektorit financiar karakterizohet me kapitalizim të lartë, ku mjaftueshmëria e kapitalit është mbi minimumin e kërkuar rregullativ, po ashtu është likuid dhe raporti i likuiditetit shënon 39.8%, që është larg mbi minimumin e kërkuar rregullativ dhe gjithashtu ka një cilësi të mirë, ku kreditë e kqija shënojnë 2.7% të cilat janë mirë të provizionuara. Zhvillime pozitive kemi edhe në sektorin e sigurimeve, që është një sektor që është përcjellë me probleme ndër vite por megjithatë në vitin që shkoi arriti që të ketë një performancë pozitive”, ka deklaruar Mehmeti për RTK.
Mehmeti tha se janë duke u bërë përpjekje që të gjendet një zgjidhje e përhershme për problemin me Kartonin e Gjelbër.
“Gjithashtu është punuar shumë në adresimin e një çështje, që është e kahmotshme me të cilën janë duke u ballafaquar bashkatdhetarët tanë që ka të bëjë me Kartonin e Gjelbër, dhe jemi duke bërë përpjekje të vazhdueshme që të gjejmë një modalitet për zgjidhjen e këtij problemi. Këtu kemi një problem politik që Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, por jemi duke u munduar që të gjejmë një vend mik i cili do të bëjë shitjen e Kartonit të Gjelbër që e mbulon territorin e Kosovës dhe të bëjmë një zgjidhje të përhershme për bashkatdhetarët tanë që vijnë por edhe për ata që dalin nga Kosova”, ka deklaruar Mehmeti.