A e dini se nuk ka tarifë për pagesat me kartelë përmes terminaleve POS?

Në një kohë kur pothuajse për çdo shërbim që ofrojnë institucionet financiare aplikohet një tarifë për qytetarët, ekziston një mënyrë për të kryer pagesa pa asnjë kosto shtesë.

Bëhet fjalë për pagesat me kartelë përmes terminaleve POS, të cilat gjenden pothuajse në çdo supermarket, farmaci, restorant apo biznes tjetër.

Ajo që shumë qytetarë nuk e dinë është se pagesa me POS është falas për konsumatorin dhe bizneset nuk kanë të drejtë t’u ngarkojnë tarifa shtesë klientëve vetëm pse zgjedhin të paguajnë me kartelë.

Reklama e sponzorizuar

Kjo mundësi është në fuqi nga data 1 shkurt 2020, kur Banka Qendrore e Kosovës (BQK) nxori rregulloren për “Instrumentet e Pagesave Elektronike”, përmes së cilës ndalohet aplikimi i tarifës për pagesat që kryhen përmes terminaleve POS.

Ky shërbim përdoret kur klientët bankarë kryejnë pagesa me kartelë në markete, dyqane apo biznese të tjera.

Ndryshe, në të kaluarën bankat kanë aplikuar tarifë edhe për këtë shërbim.

Sipas një hulumtimi të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), bankat kanë aplikuar tarifë nga 1.3% deri në 2% për secilën pagesë me POS. Përveç faktit që nuk ka kosto shtesë, pagesat me POS ofrojnë edhe një sërë përparësish të tjera.

Qytetarët nuk kanë nevojë të mbajnë para të gatshme me vete, transaksionet realizohen menjëherë dhe çdo pagesë evidentohet automatikisht në llogarinë bankare, duke e bërë më të lehtë kontrollin e shpenzimeve mujore.