“Në Kosovë, nuk ka rënie të shitblerjeve të paluajtshmërive, as të banesave të ndërtuesve seriozë, të atyre që tashmë kanë reputacionin e krijuar me seriozitetin e tyre në ndërtim, në respektimin e afateve dhe në korrektësinë e përmbushjes së kontratave.
Ka rënie te ndërtuesit që ndërtojnë kuantitet banesash dhe që vëmendjen e përkushtimin e përqendrojnë te rritja e sipërfaqeve të ndërtimeve në dëm të cilësisë”, thotë Halil Gashi, pronar i Agjencisë së Paluajtshmërive VOKO në Prishtinë.
Buletini Ekonomik
Tregtimi i pasurive të paluajtshme, i banesave në ndërtesa kolektive sidomos, në Kosovë në përgjithësi dhe në Prishtinë në veçanti, edhe në pesë muajt e shkuar të këtij viti ka shumë gjasë të ketë ecuri të përfillshme, madje edhe pozitive, mund të thuhet.
Praktikisht, në bazë të të dhënave jozyrtare dhe të shifrave që vijnë nga agjencitë më të njohura të tregtimit të paluajtshmërive në Prishtinë, sektori i tregtimit të paluajtshmërive dhe remitencat janë ndër të hyrat e rëndësishme të shtetit tonë.
Ende nuk ka të dhëna të sakta zyrtare as nga ASK-ja se sa ka qenë shuma e financave të realizuara nga shitblerja e paluajtshmërive, siç ka në shumicën e shteteve të rajonit, dhe siç ka, ta zëmë, Shqipëria, por aktiviteti i tregtimit të pasurive të paluajtshme e ka dominuar financiarisht sektorin e shërbimeve edhe në Kosovë.
Ndërsa në Shqipëri, INSTAT del të jetë i përkushtuar dhe azhur në paraqitjen dhe publikimin edhe të shitblerjes së paluajtshmërive.
Në bazë të të dhënave të INSTAT-it, në tremujorin e parë edhe të këtij viti janë zgjeruar shitjet neto në pjesën më të madhe të aktiviteteve ekonomike, ndërsa tregtimi i pasurive të paluajtshme rezulton sërish motori kryesor i rritjes, me një zgjerim prej 31.5% të shitjeve neto në volum, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Në Kosovë, nuk ka rënie të shitblerjeve të paluajtshmërive, as të banesave të ndërtuesve seriozë, të atyre që tashmë kanë reputacionin e krijuar me seriozitetin e tyre në ndërtim, në respektimin e afateve dhe në korrektësinë e përmbushjes së kontratave. Nuk ka rënie të shitblerjeve te ndërtuesit që ndërtojnë me cilësi, ndërsa ka rënie te ndërtuesit që ndërtojnë kuantitet banesash dhe që vëmendjen e përkushtimin e përqendrojnë te rritja e sipërfaqeve të ndërtimeve në dëm të cilësisë”, këmbëngul Halil Gashi, pronar i Agjencisë së Paluajtshmërive VOKO në Prishtinë, e vlerësuar si agjenci serioze, moderne dhe e strukturuar saktësisht sipas modeleve të agjencive simotra të Perëndimit.
Gashi ka thënë për Buletinin Ekonomik se ndërtuesit tashmë me emër në kryeqytet dhe më gjerë në vend (Pika Grup, Inon Konstruksion, Ivy Grup, Marigona Hill, Kanuni, Puhiza, Pozhegu Grup, Dervisholli, dhe disa të tjerë) asnjë problem nuk e kanë me shitblerje dhe te ndërtimet e tyre nuk ka rënie të shitblerjeve.
Këta ndërtimtarë nuk kanë vështirësi as në gjetjen e tokës për ndërtim.
Madje, sipas Gashit, në raste të shumta pronarët e tokave që ofrojnë me koncesion pronat e tyre, sqarohen paraprakisht nga ndërtimtarët seriozë se duhet pritur me muaj dhe me vite për të kontraktuar ndonjë truall konkret për të ndërtuar, për shkakun se duan të jenë korrektë në aktivitetin e tyre ndërtimor.
Thjesht, këta nuk kontraktojnë punë ndërtimore pa qenë të sigurt për afatet kur do t’i fillojnë dhe kur do t’i mbarojnë ato dhe pa i përfunduar kontratat paraprake.
Për ndërtimtarët e mirë, thotë ai, ka punë, por edhe shitje.
Ndërsa, ndërtimtarët e shquar për kuantitet ndërtimesh, nuk janë edhe aq të përkushtuar në respektimin e afateve dhe të kushteve të kontraktuara me klientët. Këta, sipas Gashit, mund edhe të mos kenë shitje.
Halil Gashi thotë se deri tash në kryeqytet nuk ka pasur strategji të harmonizimit të nevojave reale për ndërtime dhe lejeve të ndërtimit të lëshuara nga zyrtarët.
Gjatë viteve 2023–2024, në Prishtinë dhe rrethinë ka pasur leje ndërtimi për rreth 600–650 mijë metra katrorë ndërtim, ndërsa nga viti 2023 deri më 2026 janë lëshuar leje për ndërtim të mbi 1 milion e 700 mijë metra katrorëve.
Pronari i VOKO-s, sikundër edhe pronarët e agjencive të tjera të paluajtshmërive në kryeqytet, thonë se sivjet janë shtuar ndjeshëm kërkesat e kosovarëve për të blerë banesa në bregdetin shqiptar.
Sherif Spahija, pronar i Agjencisë së Paluajtshmërive “Era”, i ka thënë Buletinit Ekonomik se “ka disa muaj që kosovarët, ata me mundësi financiare, më nuk janë të interesuar që paratë e tyre t’i investojnë në blerjen e banesës së dytë apo edhe të tretë në Prishtinë apo gjetiu në qytetet e tjera të Kosovës.
Tani e disa muaj qytetarët e kamur kosovarë e kanë aktualizuar në masë të madhe blerjen e banesave në bregdetin e Shqipërisë.
Vëmendja, pra, e kosovarëve tani është e përqendruar në sigurimin e një banese pranë detit në Shqipëri, dhe për këtë sikur po ngarendin edhe për shkak të rritjes së çmimeve aktuale, që realisht janë jashtëzakonisht të larta, por që ka paralajmërime se trendi i ngritjes së çmimeve në bregdetin shqiptar do të shkojë shumë shpejt në stratosferë.
Spahija i ka thënë Buletinit Ekonomik se brenda një periudhe jo shumë të gjatë kohore, brenda 2–3 vjetësh, në bregdetin shqiptar një metër katror i një banese mund të shkojë edhe në 6 mijë euro.
Këto parashikime të çmimeve të pritshme në bregdetin e Shqipërisë e kanë burimin në analizat dhe të dhënat e agjencive shqiptare të paluajtshmërive, dhe ky fakt po duket se është bërë tepër nxitës për joshjen e kosovarëve për të investuar tani në paluajtshmëri në shtetin amë dhe për të zënë çmimet ende të kapshme në disa zona të bregdetit.
Aktualisht, sipas informacioneve që vijnë nga Shqipëria, në disa vende bregdetare të këtij vendi, veçanërisht në pjesën e bregdetit verior, akoma mund të blesh një banesë dydhomëshe me rreth 100 mijë euro.
Investimi i kosovarëve në blerjen e banesave në Shqipëri, sipas Halil Gashit, në vitet 2023–2024 ishte rreth 230 milionë euro, ose Kosova ishte investitori më i madh në blerjen e patundshmërive në Shqipëri dhe tendencat për të siguruar një banesë në bregdetin e Shqipërisë janë aktuale edhe më shumë kohët e fundit në Kosovë. /Buletini Ekonomik/











