Agjencia Kosovare për Privatizim njofton se ka shpërndarë mbi 755 mijë euro për 7 ndërmarrje shoqërore në likuidim.
Sipas njoftimit të AKP-së, bordi i drejtorëve ka miratuar raportet e shpërndarjes së përkohshme dhe raportet e shpërndarjes përfundimtare të pjesshme të fondeve të likuidimit për kreditorët e ligjshëm të disa ndërmarrjeve shoqërore në likuidim.
“Ndërmarrjet për të cilat do të ketë shpërndarje për kreditorët janë NSh ‘Vreshtaria’ do të ketë shpërndarje të përkohshme në shumë prej 18,601 euro, NSh ‘IT Drateks’ (Sharrteks) do të ketë shpërndarje të përkohshme në shumë prej 97,349 euro, pastaj shpërndarje të përkohshme do të ketë edhe për NSh ‘Lidhja e Vozitësve’ në shumë prej 3,806 euro dhe për NSh KB ‘Kooperimi’ në shumë prej 469 euro, të katër këto ndërmarrje shoqërore gjenden në rajonin e Prizrenit. Shuma prej 105,480 euro do të shpërndahet për kreditorët e NSh ‘Organizata Punuese Bentokos’, nga rajoni i Gjilanit. Për NSh ‘Lux’, nga rajoni i Mitrovicës do të ketë shpërndarje të përkohshme në shumë prej 345,972 euro, si për ndërmarrjen nga rajoni i Pejës NSh ‘Ringov’, do të ketë shpërndarje përfundimtare të pjesshme në shumë prej 183,909 euro. Shuma totale për shpërndarje për kreditorët është në shumën prej 755,589 euro”, thuhet në njoftim.
Pas kompletimit të dokumentacionit dhe kontrollimit të llogarive bankare të kreditorëve të ligjshëm dhe ish punëtorëve të këtyre ndërmarrjeve do të ekzekutohen pagesat përmes Bankës Qendrore të Kosovës.