Komuna e Prishtinës s’e ka prioritet inspektimin e masave

Drejtori i Inspektoratit në Prishtinë, Adonis Tahiri, thotë se inspektorët e kësaj komune nuk e kanë prioritet inspektimin e masave të reja të marra nga Qeveria.

Sipas tij, me gjithë rrezikun e vazhdueshëm, punëtorët komunalë u anashkaluan dhe nuk u kompensuan sikur kategoritë e tjera.

Për më shumë, ai i ka quajtur absurde vendime e Qeverisë Kurti dhe asaj paraprake Hoti për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit.

Reklama e sponzorizuar

“Një absurditet i Qeverisë së kaluar, e po vazhdohet me të njëjtin intensitet edhe nga Qeveria e tashme. Siç e dini aksionet bëhen nga inspektorati lokal, inspektorati qendror dhe Policia e Kosovës, kurse shtesat për rrezikun që e kanë ky staf në raport me zbatimin e masave i kanë marrë Inspektorati qendror, policët, zjarrfikësit dhe mësimdhënësit që nuk kanë të bëjnë fare me mbikëqyrjen e zbatimit të masave, kurse janë përjashtuar punëtorët komunalë të secilës komunë”, tha ai në një intervistë për EkonomiaOnline. “Zbatimin e masave ndaj Covidit do ta trajtojmë varësisht kohës që e kemi, njësoj sikur secilën temë tjetër pa i dhënë fare prioritet për shkak se nuk mund ne ta rrezikojmë stafin tonë çdo ditë e në vazhdimësi, e në anën tjetër të jenë sektor dhe profesione krejt të tjera të cilat paguhen për rrezikshmërinë që e bart Covidi”.

Ai theksoi që masat që janë marrë nga Qeveria kanë ardhur për faj të politikanëve dhe se numri i të infektuarve është shumëfishuar nga pakujdesia e tyre gjatë fushatës së fundit.

“Masat janë marrë si pasojë e shkeljeve që janë bërë gjatë fushatës dhe për faj të vetë këtyre politikanëve, për shkak se siç e keni parë që nga atëherë e deri tash është shumëfishuar numri i të infektuarve dhe sidomos numri i rasteve që përfundojnë me fatalitet”.

Qeveria së fundi ka vendosur për mbyllje të një pjesë të biznesit në Kosovë, nga 7 deri më 18 prill, si masë për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Bizneset, sidomos ato të gastronomisë dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës kanë kritikuar këtë masë.

Qeveria së fundi njoftoi se do të kompensojë bizneset në paga të punëtorëve dhe qira për këtë kohë.