Oda e Hotelerisë thirrje ministrit Vitia: Të hapen sallat e dasmave, bizneset po falimentojnë

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit Hysen Sogojeva, tha se ende nuk është takuar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ndonëse kishte marrë premtime për të diskutua për problemet e tyre.

Madje ai thotë se ende nuk ka përgjigje të qartë nga ana e ministrit Vitia lidhur me hapjen e sallave të dasmave.

“Prej takimit të fundit që e kemi pasur, si vendim për këto masa që i kemi marrë ende nuk kemi pasur, premtimet janë që menjëherë të ketë takim, por nuk na ka thirrur andaj dua të shfrytëzoj rastin që të lus ministrin Vitia që sa më herët të takohemi për me pas mundësi me dalë nga kjo situatë, sepse pa u liruar kjo pjesë, pra e sallave të dasmave ne si Odë e Hotelerisë nuk jemi të kënaqur”, tha Sogojeva.

Reklama e sponzorizuar

“Mendoj që ne duhet me komunikuar edhe më tepër që me pas bashkëpunime dhe të sqarohen gjërat, sepse kjo situatë është si është, pasi kemi edhe rënie të të infektuarve, shpresoj që edhe vaksinat të vinë duke apeluar te Qeveria që sa më parë të merret me vaksinimin e popullatës, sikurse rajoni, ne kemi mbetur mbrapa dhe nuk është mirë të mbetemi, duhet gjetur mundësitë sepse pa vaksinimin e popullatës nuk kemi zgjidhje tjetër”, u shpreh ai.

Sogojeva thotë që pakoja e paralajmëruar nga ana e Qeverisë nuk mjafton për këtë sektor, pasi që rreziku është që shumë nga bizneset të falimentojnë.Madje ai thotë që përfshirja në pako edhe të marketeve, është e papranueshme sepse ata kanë punuar tërë kohën.

“Duhet Qeveria me intervenuar prapë me një pako, ekstra për këtë sektor, sepse nga ajo 220 milionëshi edhe ajo krejt nuk mjafton, por nga ajo duhet të ndahet një shumë veçmas për këtë veprimtari sepse këtu janë humbjet dhe këtu është dëmtuar më së shumti, prandaj edhe kërkoj nga qeveria që të ketë konsideratë për këtë veprimtari, sepse nëse nuk marrim masa për rimëkëmbjen e kësaj nga gjithë ato biznese, as 6 mijë nga to nuk do mund të mbijetojnë”, deklaroi ai.

“Mu për këtë kemi pasur takime edhe me ministrin e Financave, kemi pasur takime edhe me Bankën Qendrore, dhe jemi dakorduar në njëfarë forme që kjo mos të ndodhur, në rregull ka ndodhur, por që nuk ka nevojë të u jepet asaj kategori apo veprimtarie që në njëfarë forme është gjetur në këtë situatë, ndërsa kemi veprimtari që i kanë kaluar edhe 550 ditë thuajse asnjëherë nuk kanë punuar, dhe mjetet e premtuara të shkojnë në vend të duhur”.Tutje Sogojeva thotë që janë duke punuar në bazë të udhëzimeve dhe rekomandimeve, raporton EO.

“Ju i keni parë rekomandimet e mia, unë publikisht kam kërkuar që këto masa të zbatohen, sepse jemi nënshkrues të asaj marrëveshje dhe kam kërkuar nga anëtarësia jonë që të respektohen rregullat dhe të mos marrim dënime pa nevoje sepse tash është e rregulluar në bazë të udhëzimeve dhe nuk do kemi probleme edhe për pandeminë sipas respektimit të masave”, përfundoi Sogojeva.