Për tre vjet, 40 milionë euro humbje të energjisë në veri

Kompania energjetike “Elektrosever D.O.O” që nga 28 dhjetori i vitit 2020, ka dorëzuar kërkesë në zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), për marrjen e licencës për të furnizuar me energji elektrike katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Por, në mungesë të bordit funksional, ky aplikacion nuk mund të procesohet më tutje, thuhet në një përgjigje të kësaj zyreje për Radion Evropa e Lirë.

“Bordi i ZRRE-së është jofunksional që nga mesi i muajit dhjetor të vitit të kaluar. Përkundër që bordi aktualisht ka dy anëtarë, ata sipas ligjit, e kanë të pamundur të marrin vendime”, thuhet në përgjigje.

Qeveria e Kosovës tashmë ka shpallur konkurs për kryesues të bordit edhe për dy anëtarë në bordin e ZRRE-së, duke shfuqizuar konkursin e qeverisë së kaluar.

Reklama e sponzorizuar

Gjukaj: Komunat në veriun e Kosovës, problem politik

Kërkesa për licencimin e kompanisë serbe, nuk po i duket serioze, Arben Gjukës, ish-drejtor në Korporatën Energjetike të Kosovës. Ai vë në dyshim kohën e kërkesës së kompanisë, që erdhi vetëm pak ditë pasi ZRRE-ja mbeti pa bord funksional. Gjukaj thotë se Beogradi vazhdimisht ka manipuluar me regjistrimin apo kërkesën për licencim të kompanive serbe.

“Nuk është diçka e rastësishme, është diçka e qëllimshme, pasi Serbia vazhdimisht ka manipuluar, duke pritur që të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse politike, e mandej të aplikohet për licencë. E konsideroj si njëfarë blerje kohe. Unë nuk e di se gjatë kësaj radhe a është bërë aplikimi konform rregullave dhe dispozitave ligjore të Republikës së Kosovës”, tha Gjukaj.

“Nëse aplikimi është bërë konform ligjeve të Kosovës, konsideroj se do jetë një zgjidhje kreative për të tejkaluar këtë problem të trashëguar për shkak të çështjeve politike, që pas përfundimit të luftës”, shtoi ai.

Por, në ZRRE thonë se kjo zyre shqyrton të gjitha aplikacionet, vetëm duke u bazuar në ligjet dhe rregullat që janë në fuqi.

“Natyrisht se marrëveshja e parasheh licencimin e një kompanie në veri të vendit, por kjo nuk i pengon edhe kompanitë e tjera që të aplikojnë për të marrë licencë të furnizimit”, thuhet në përgjigje të kësaj zyreje.

Licencimi i një kompanie serbe, pjesë e Marrëveshjes e Brukselit

Regjistrimi dhe licencimi i një kompanie serbe është kërkuar në kuadër të dialogut në Bruksel në vitin 2013, ku Kosova dhe Serbia, kanë nënshkruar Marrëveshjen për energjinë. Kjo marrëveshje kishte paraparë krijimin e një kompanie të re, sipas kornizës ligjore të Kosovës, e cila do të furnizojë me energji elektrike konsumatorët në katër komunat veriore, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq).

Kompania “Drustvo Elektrosever D.O.O” në vitin 2018 është regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, me bazë në Komunën e Mitrovicës së Veriut, dhe aktivitet kryesor ka tregtinë e energjisë elektrike.

Kusari-Lila: Cilado kompani që plotëson kriteret ligjore në Kosovë, mund të licencohet

Mimoza Kusari- Lila, shefe e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se cilado kompani që i plotëson kushtet dhe kriteret sipas ligjeve të zbatuara në Kosovë, ka të drejtë të hyjë në proces të furnizimit dhe faturimit të energjisë në veri të Kosovës.

“Tash a do të mbetet kjo kompani apo ndonjë tjetër, është çështje e një vendimmarrjeje në ditët ose javët në vazhdim”, tha Kusari- Lila.

Pavarësisht se nëse licencohet ndonjë kompani për furnizim, kjo sipas Gjukës nuk pritet që të zgjidhë problemin e pagesës së faturave të energjisë së shpenzuar, pasi që nga përfundimi i luftës më 1999, banorët që jetojnë në këto komuna, nuk i kanë paguar faturat e energjisë edhe pse janë furnizuar nga Kosova.

“Ky është problem politik dhe zgjidhja duhet të jetë politike. Konsumi i energjisë në atë pjesë vit pas viti ka shkuar duke u rritur, për shkak të keqpërdorimit. Kështu që unë mendoj se nuk ka zgjidhje tjetër për momentin, derisa të kontraktohet një kompani, e cila mund ta ofrojë këtë shërbim në atë pjesë”, thekson ish-drejtori i KEK-ut, Arben Gjuka.

Borxhet e veriut të Kosovës

Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e përbashkët e energjisë së shpenzuar në këto komuna. Që nga viti 1999 deri në vitin 2017, këto mjete janë paguar nga konsumatorët e viseve tjera të Kosovës, ku faturat e tyre ishin për 3.5 për qind më të shtrenjta.

Por, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit, në fund të vitit 2017, kishte vendosur që kjo praktikë të pezullohet sepse ishte joligjore.

Pas kësaj periudhe, nga dhjetori i vitit 2017 e deri në fund të vitit të kaluar, 40 milionë euro vlerësohet vlera e energjisë së tërhequr nga sistemi inter-konektiv për mbulimin e humbjeve për pjesën veriore të Kosovës, thuhet në një përgjigje nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT). Kjo kompani është publike me njëqind për qind të aksioneve shtetërore.

Në dhjetor të vitit të kaluar, KOSTT ka pavarësuar rrjetin energjetik nga blloku SMM (Serbi, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut) dhe është bërë zonë e pavarur rregulluese në kuadër të Bllokut AK (Shqipëri-Kosovë).

“Kështu që çdo devijim i zonës që mbulon Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës konsiderohet devijim i Kosovës dhe KOSTT si subjekt përgjegjës për balancim, ka obligime nga Marrëveshja e kyçjes KOSTT/ENTSO-e që ta mbulojë këtë devijim. Në të kundërtën, do të ndodhin penalizime të cilat kanë kosto më të larta”, thuhet në përgjigje të KOSTT-it.

Të mërkurën, më 28 prill, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në Kuvendin e Kosovës ka miratuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje, që autorizon Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës të shfrytëzojë të hyrat vetanake për të mbuluar devijimet e energjisë elektrike në atë pjesë.

Mimoza Kusari-Lila, anëtare në këtë komision, tha për Radion Evropa e Lirë se KOSTT-i ka kërkuar 11 milionë euro nga qeveria për kompensim njëvjeçar, por ajo nuk ka përmendur ndonjë shumë të caktuar që i është ndarë këtij institucioni për gjashtë muajt e ardhshëm.

“Vendimi nuk përmban ndonjë shumë, vetëm e autorizon KOSTT-in që të kompensojë devijimet për pesë ose gjashtë muajt e ardhshëm, në mënyrë që mos të paraqiten probleme me Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO)”, tha Kusari- Lila.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës, është kompani publike me 100 për qind të aksioneve shtetërore.

Përveç 12 milionë eurove në vit për faturat e energjisë, konsumatorët e komunave në veri të Kosovës, kanë borxh edhe mbi 15 milionë euro të tjera për faturat e ujit të shpenzuar që nga viti 1999. Në atë pjesë, ndërkaq bizneset zhvillojnë veprimtarinë e tyre, në shumicën e rasteve të paregjistruara në institucionet qendrore të Kosovës, dhe pa paguar obligimet tatimore.