Shitjet e smartphoneve shënojnë rekord këtë vit

Shitjet e smartphone-ve shënojnë rekord Shitja e telefonave inteligjentë në të gjithë botën u rrit ndjeshëm midis janarit dhe marsit, sipas një studimi të botuar nga Strategy Analytics, transmeton Afp, përcjell Albinfo.ch.

Sipas kompanisë kërkimore, 340 milionë pajisje u dorëzuan në tre muajt e parë të vitit, 24% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Pandemia dhe pasojat e saj ekonomike nxitën shumë konsumatorë të shtyjnë blerjen e një smartphone të ri në vitin 2020, duke ulur vëllimin e përgjithshëm të shitjeve.

Reklama e sponzorizuar

Por në tremujorin e parë të vitit 2021, kërkesa e madhe nga konsumatorët, me pajisje të vjetra tashmë, si edhe theksimi i teknologjisë 5G nga prodhuesit kinezë, e rritën tregun.

“Tregu kinez i telefonave inteligjentë ka shënuar një tremujor të bujshëm, falë suksesit të produkteve 5G në kategori të ndryshme çmimesh”, vëren Linda Sui nga Strategy Analytics.

Grupi i Koresë së Jugut, Samsung, mbizotëron renditjen globale të shitjeve, me 23% të tregut, i ndjekur nga Apple (17%), pastaj markat kineze Xiaomi (15%), Oppo (11%) dhe Vivo (11%).