Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Ilir Berisha, thotë se nuk ka një shifër të saktë se sa persona kanë humbur punën gjatë pandemisë e as sa është numri i përgjithshëm i të papunëve shkaku i informalitetit të madh.
Ai në Deskun e KOHËS tha se të papunë llogariten vetëm ata që kanë moshën për punë dhe që kërkojnë vazhdimisht punë. Ata që nuk kërkojnë punë, nuk futen në statistikat e të papunësuarve. Ai nuk ka dashur të komentojë të dhënat e Odës Ekonomike dhe të sindikatave të ndryshme se gjatë pandemisë kanë humbur vendet e punës rreth 60 mijë veta.
“Në shifrën prej 60 mijë vendeve të punës të humbura që ata pretendojnë (Oda Ekonomike dhe sindikatat) mund të kenë burime të tjera, të cilat janë edhe pjesë e informalitetit. Por në qoftë se i referohemi kësaj pjese zyrtare, që është deklaruar në ATK, kjo shifër prej 60 mijë nuk qëndron. Nuk do të thotë se nuk është e saktë apo është e pasaktë, por kjo varet nga burimi. Në qoftë se ata përdorin burime të tjera, si prej bizneseve që janë pjesë e informalitetit, që nuk janë deklaruar asnjëherë dhe me mbyllje pastaj, si shembull: një ndërmarrje në qoftë se ka 10 të punësuar, 3 i deklaron në ATK e 7 jo, kur ajo mbyllet, për ATK-në janë vetëm tri vende të punës të humbura”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe për të dhënat e papunësisë në muajt e parë të pandemisë.
“Në qoftë se i referohemi të dhënave të Administratës Tatimore, ne mund të vërejmë se ka një trend të rënies në muajt mars, prill dhe maj të vitit 2020. Derisa në muajin shkurt ishin 332 mijë të punësuar, në mars filloi me 331 mijë, pastaj ra në 308 mijë në prill dhe në maj me 320 mijë, pra fillon një trend i rritjes dhe kthimit nga normaliteti. Këtu normalisht janë të përfshirë edhe të sektorit të buxhetit, por megjithatë edhe pa ata të sektorit të buxhetit, vërehet se në këtë periudhë ka një ulje të të punësuarve”, shtoi Berisha.










