Rritet kostoja e ndërtimit në Kosovë, ASK publikon të dhënat për tremujorin e parë të 2026

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e parë të vitit 2026, sipas të cilit sektori i ndërtimit në vend ka shënuar rritje si në baza tremujore, ashtu edhe në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas ASK-së, indeksi i përgjithshëm i kostos së ndërtimit është rritur për 2.5 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2025.

Rritjen më të madhe në këtë periudhë e kanë shënuar kostot e transportit me 5.9 për qind, pasuar nga pagat me 2.8 për qind, kostot e tjera me 2.6 për qind, materialet me 2.5 për qind dhe makineritë me 0.5 për qind. E vetmja kategori me rënie është energjia, e cila ka shënuar ulje prej 3.9 për qind.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, indeksi i kostos së ndërtimit në tremujorin e parë të vitit 2026 ka shënuar rritje prej 4.3 për qind.

Sipas të dhënave, ndikimin më të madh në këtë rritje e kanë pasur kostot e transportit, të cilat janë rritur për 11.5 për qind. Po ashtu, janë rritur pagat për 8.6 për qind, kostot e tjera për 6.2 për qind, energjia për 5.5 për qind, materialet për 3.2 për qind dhe makineritë për 0.7 për qind.

Të dhënat e ASK-së tregojnë se sektori i ndërtimit vazhdon të përballet me rritje të kostove në shumicën e kategorive kryesore, duke reflektuar presionet në çmimet e materialeve, fuqinë punëtore dhe shërbimet mbështetëse. /Buletini Ekonomik/