Turqia ndalon pagesat me kriptovaluta, i bie vlera Bitcoin-it

Banka Qendrore e Turqisë e ndaloi përdorimin e kripotvalutave për blerjen e produkteve dhe shërbimeve, duke cituar si arsye dëmet e mundshme dhe rreziqet e konsiderueshme që sjellin transaksionet e tilla.

Në legjislacionin e publikuar në Gazetën Zyrtare, Banka Qendrore e Turqisë tha se kriptovalutat dhe asetet tjera digjitale nuk mund të përdoren, as drejtpërdrejt, as tërthorazi, si instrumente për pagesa.

“Ofruesit e shërbimeve për pagesa nuk do të mund të zhvillojnë modele biznesi në atë mënyrë që asetet kriptografike të përdoren drejtpërdrejt ose tërthorazi në dispozita të shërbimit të pagesave dhe lëshimit të të hollave elektronike dhe nuk do të mund të ofrojnë asnjë shërbim që lidhet me modele të tilla biznesi”, tha Banka Qendrore e Turqisë.

Reklama e sponzorizuar

Kohëve të fundit, në Turqi u zgjerua shumë tregu i kriptovalutave, pasi investitorët shpresonin që të përfitojnë nga shtimi i vlerës së Bitcoin-it dhe të gjejnë strehim kundër inflacionit, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

 

Në një deklaratë ku sqarohen arsyet e këtij vendimi, Banka Qendrore e Turqisë tha se këto asete nuk janë subjekt i ndonjë norme dhe mekanizmi mbikëqyrës dhe as i ndonjë autoriteti qendror të rregullatorit, në mesin e rreziqeve tjera të sigurisë.

 

Legjislacioni i ri në Turqi do të futet në fuqi nga data 30 prill. Pas këtij vendimi, vlera e kriptovalutës më të famshme, Bitcoin, ra për 2.59 për qind, më saktësisht në 61.757 dollarë.